Me rritjen e rasteve të koronavirusit, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu i bën thirrje qytetarëve që të tregohen të vigjilentë në mbrojtje të shëndetit.
Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” Manastirliu apelon për tu vaksinuar sa më parë kundër Covid-19.
“Mbi 1100 vaksinatorë janë çdo ditë në shërbim të qytetarëve për vaksinimin anti-Covid, në çdo qendër shëndetësore dhe pikë vaksinimi të përqendruar”, thotë ministrja e Shëndetësisë.
Statusi:
Shifrat në rritje të infektimeve ditore na ftojnë të gjithëve për përgjegjësi morale dhe qytetare, për t’u vaksinuar sa më parë ndaj #Covid19, për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës. Mbi 1100 vaksinatorë janë çdo ditë në shërbim të qytetarëve për vaksinimin anticovid, në çdo qendër shëndetësore dhe pikë vaksinimi të përqendruar. Shfrytëzoje këtë muaj të hapur të vaksinimit masiv për çdo qytetar +18 vjeç, për t’u vaksinuar sa më parë ndaj Covid-19.
Ministria e Shëndetësisë raportoi këtë të shtunë 410 raste të reja me koronavirus dhe 2 viktima.
Aktualisht janë 2,453 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin, ndërsa në spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 39 pacientë.
/abcnews.al/