Spitalet në SHBA të stërngarkuara me pacientë të sëmurë me COVID-19

schedule10:05 - 14 Gusht, 2021

schedule 10:05 - 14 Gusht, 2021

Spitalet në disa shtete amerikane janë duke arritur kapacitetet e plota për të trajtuar rastet e rënda me koronavirus, teksa Rusia ka raportuar për një rekord të ri të vdekjeve dhe Brazili ka regjistruar pothuajse 1.000 viktima brenda një dite.

Guvernatorja në Alabama më 13 gusht ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme pasi punëtorët shëndetësorë në këtë shtet thanë se po përballen me një “valë” të rasteve me COVID-19, që po mbingarkon spitalet.

Guvernatorja Kay Ivey tha se gjendja e jashtëzakonshme ka për qëllim të lehtësojë punën e punëtorëve shëndetësorë, por shtoi se nuk do të ketë mbyllje të shtetit dhe as masë për mbajtjen e detyrueshme të maskave. Shumica e shteteve në SHBA, që udhëhiqen nga republikanët, nuk kanë përfillur këshillat e zyrtarëve federalë shëndetësorë, të cilët për javë të tëra, kanë rekomanduar që njerëzit të mbajnë maska edhe në ambiente të brendshme, nëse jetojnë në një zonë ku virusi po përhapet me shpejtësi.

Spitalet në Oregon po ashtu janë afër mbushjes së kapaciteteve. Autoritetet në këtë shtet kanë planifikuar që të vendosin 1.500 trupa të Gardës Kombëtare nëpër spitale, për të ndihmuar punëtorët shëndetësorë.

Guvernatorja Kate Brown, demokrate, tha se 500 trupa të Gardës Kombëtare do të dërgohen në spitale më 20 gusht, për të ndihmuar me rastet me COVID-19.

Disa shtete të tjera amerikane, përfshirë Havajin po ashtu kanë ngritur alarmin për rritjen e rasteve. Guvernatori i Havajit, David Ige tha se më 13 gusht janë regjistruar 1.170 raste të reja, duke paralajmëruar se spitalet po mbushen dhe autoritetet po përgatiten për përkeqësim të situatës.

“Ata (punëtorët shëndetësorë) po trajtojnë pacientë në moshë të re”, tha guvernatori, duke u bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.

Shumica e rasteve të reja janë në mesin e qytetarëve të pavaksinuar.

Ndërkaq, Rusia ka raportuar për një rekord të ri të vdekjeve, përkatësisht 815 viktima brenda ditës. Autoritetet ruse thanë se numri i rasteve që po përfundojnë me fatalitet është rritur për 60 për qind, krahasuar me një muaj më parë.

Autoritetet ruse po fajësojnë variantin Delta për rritjen e numrit të viktimave dhe rasteve. Deri më tani, Rusia ka vaksinuar rreth 20 për qind të popullatës.

Në anën tjetër, Brazili ka regjistruar 966 viktima dhe 33.933 raste të reja më 13 gusht. Ky shtet i Amerikës Jugore deri më tani ka regjistruar 567.862 viktima, që është shteti i dytë, pas SHBA-së, me numrin më të lartë të viktimave nga COVID-19. /REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!