Trump: Plani i May për BREXIT pengon bisedimet SHBA-Britani

schedule17:43 - 27 Nëntor, 2018

schedule 17:43 - 27 Nëntor, 2018

Presidenti amerikan Donald Trump pretendon se marrëveshja e Britanisë me BE-në për Brexit pengon bisedimet për ndonjë akord të mundshëm tregtar mes Londrës dhe Uashingtonit. Nga ana tjetër, qeveria britanike mohon një gjë të tillë dhe thekson se Trump është një negociator shumë i vështirë.

Donald Trump thotë se marrëveshja e kryeministres Theresa May për Brexit mund të kërcënojë akordin SHBA-Mbretëri e Bashkuar për tregtinë. Presidenti amerikan u tha reporterëve marrëveshja e largimit “Dukej si një akord shumë i mirë për BE-në” dhe nënkuptonte që Britania e Madhe nuk do të jetë në gjendje të tregtojë me Shtetet e Bashkuara. Ndërsa Londra ështëë përgjigjur duke nënvizuar se “është shumë e qartë që Britania e Madhe mund të nënshkruajë marrëveshje tregtare me çdo vend të botës.
Duke folur për reporterët jashtë Shtëpisë së Bardhë, Trump u shpreh: “Nëse e shikoni marrëveshjen tani, Mbretëria e Bashkuar nuk do të jetë në gjendje të tregtojë me ne. Kjo nuk do të jetë diçka e mirë. Nuk ma merr mendja se ata e bënë qëllimisht atë”.

Duket se Trump u përpoq të tregonte se marrëveshja me Unionin e pengon Britaninë të negociojë pakte të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara. Qeveria e Londrës i cilësoi komentet e presidentit amerikan si “të papritura”. Gjithashtu e konsideron kreun e Shtëpisë së Bardhë si një negociator shumë të ashpër. Londra, ndër të tjera, thekson se bisedimet për tregtinë me SHBA-të mund të jenë shumë sfiduese pasi Trump vendos gjithmonë “Amerikën të Parën”. Përplasjet mes dy liderëve mund të ndodhin, sipas asaj që nënvizon qeveria britanike, pasi edhe kryeministrja May do të vendosë interesin e shtetit të saj të parin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!