Ministri i punëve të jashtme të Republikës së Sllovenisë, Miro Cerar u prit në një vizitë zyrtare nga homologu i tij shqiptar Ditmir Bushati. Në përfundim të takimit, dy ministrat në konferencën e përbashkët për shtyp folën për përforcim të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Ditmir Bushati: “Së bashku me komunitetin e biznesit në dy vendet tona, të mbajmë një forum biznesiu në Tiranë. Të jetë dhe një sinjal i qartë, një shkëndijë inkurajuese, për të shtuar vëllimet tregtare ndërmjet dy vendeve tona.”
Miro Cerar: “Faktikisht unë kam ardhur këtu me një grup të shquar biznesmenësh sllovenë e përfaqësues të dhomës sonë të tregtisë dhe unë besoj se takimi i njerëzve nga biznesi do të kontribuojë për një bashkëpunim më të mirë ekonomik që për momentin është ende modest.”
Sllovenia, e rreshtuar në kampin “pro zgjerimit” mes antarëve të Bashkimit Europian, theksoi mbështetjen ndaj Shqipërisë si për hapjen e negociatave qershorin e ardhshëm, ashtu edhe për kandidaturën e Shqipërisë në OSBE.
“Siç dihet vendi ynë ka shprehur ambicjen për të marrë drejtimin e OSBE-së në vitin 2020 dhe jemi të gëzuar që Sllovenia e mbështet zyrtarisht kandidaturën e Shqipërisë.”
“Ne në mënyrë konstante dhe aktive mbështesim integrimin në BE të Shqipërisë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë diçka të tillë. Presim që negociatat do të nisin qershorin e vitit tjetër. Do ta mbështesim Shqipërinë, kandidaturën e kryesisë së Shqipërisë në OSBE për vitin 2020.”
Shkëmbimi tregtar mes Shqipërisë dhe Sllovenisë kap shifrën 53 milionë euro, modeste kjo sipas dy ministrave Bushati – Cerar sipas të cilëve potenciali për rritjen e këtij shkëmbimi është ende i pashfrytëzuar./abcnews.al