Ditët e kulinarisë shqiptare kanë mbërritur në një nga sheshet më të frekuentuara të kulinarisë europiane siç është sheshi para Parlamentit Euopian në Bruksel. I pranishëm në këtë aktivitet kulinarie ka qenë edhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko i cili u kujtoi shqiptarëve që jetojnë në diasporë se atdheu i tyre nuk i ka lënë asnjë moment në harresë.
Kulinaria shqiptare ka trokitur në portat e institucioneve europiane përmes një aventure këmbëngulëse. Një autobuz jo si të tjerët e ka sjellë atë nga Tirana në Bruksel.
“Autobuzi i shijes” ka qëndruar para Parlamentit Europian, në një nga sheshet më të spikatura dhe të frekuentuara për kulinarinë europiane në Bruksel. Aventurë që nuk ka kaluar pa rënë në sy të eurodeputetëve dhe funksionarëve të insitucioneve europiane. Ata kanë mundur të shijojnë gatimet tradicionale shqiptare në kryeqytetin e Europës. Por “autobuzi i shijes” përçon mbi të gjitha një mesazh për shqiptarët e disaporës”
Pandeli Majko, ministër i shtetit për Diasporën: “Është falë ndihmës së kompanisë Neranxi dhe kokëfortësisë së pronarit. Duhet ta pranoj. Duhej një kokëfortë nga Himara që ta bënte këtë. Ky autobuz ka udhëtuar nga Tirana përmes Brukselit përballë Parlamentit Europian, që t’i kujtojë shqiptarëve të diasporës, që atdheu i tyre, megjithëse me pak vonesë, nuk i harron.
Për ministrin Majko, është e rëndësishme që të mbushet vakuumi i krijuar midis shtetit shqiptar dhe komuniteteve shqiptare jashtë vendit.
“Do të kemi të tilla edhe në kryeqytetet e tjera të Europës dhe kështu të mbushet ai vakuum dhe ajo vonesë që shteti shqiptar ka në marrëdhënie me komunitetet e tij jashtë Shqipërisë, pasi ato janë vërtet një pasuri e madhe dhe pjesë e pandashme e famijes shqiptare”.
Aktiviteti “Ditët e kulinarisë shqiptare” është zhvilluar në kuadrin e festave të nëntorit përgjatë datave 26 dhe 27 nëntor në Bruksel./abcnews.al