Pesë banorë të Lumasit të cilët ishin prej 10 ditësh në grevë urie për të kundërshtuar punimet në burimin e ujit të Sinecit kanë dalë nga greva. Ky vendim i tyre erdhi pas inspektimeve nga IKMT e Elbasanit ku u konstatuan shkelje në kanionin e Sinecit.
Një nga grevistët tregoi se kanë dalë nga greva pas këtij vendimi dhe pas marrjes së dokumenteve nga institucionet shtetërore, duke shtuar se beteja nuk do të mbarojë këtu, por do të vazhdojë deri sa të jenë të bindur se nuk do të preket asgjë në këtë zonë.
Lexo edhe: Punimet në burim, banorët e Sinecit nisin grevën e urisë: Të mos na e prekin Sinecin, me të jetojmë
“Ne e lamë grevën nga dokumentet që kemi marrë nga institucionet shtetërore. Lufta jonë nuk mbaron këtu, ne do ta vazhdojmë deri kur të bindemi se nuk do të preket asgjë. Ne do të jemi të parët që do ta mbrojmë natyrën. Kallëzimin penal për Urën Vajgurore e kemi bërë. Ne nuk i ndahemi , se na kanë nxirë jetën 3 muaj duke sjellë policinë”, ka deklaruar një nga grevistët, ndësa shtoi: “Dolëm nga greva sepse mendojmë se e kemi plotësuar qëllimin tonë. Institucionet reaguan dhe ne dolëm nga greva”.
Ai gjithashtu theksoi se do të mbështesin çdo kauz në mbrojtje të natyrës.
“Në çdo vend ku do të ketë shfarosje të bimësisë së natyrës ne do të jemi përkrah tyre sepse kemi vuajtur në mënyrë më makabre nga policia. Nuk do t’i ndahemi as Ardi Veliut, se na janë dhunuar familjet tona”, u shpreh ai.
Ndërsa një tjetër grevist u shpreh se kjo luftë nuk do të mbarojë këtu duke u shprehur se ka akoma punë për të bërë që drejtësia të vendoset në vend.
“Fjalën e kryeministrit prit se nuk keni parë gjë akoma, do ta fillojmë këtu nga Lumasi. Kemi akoma për drejtësinë për oligarkinë për njerëzit që rrinë këtu paguhen me taksat tona dhe kanë arritur dhe mbjellin edhe drogë se nuk i dalin paratë”, u shpreh ai.
Banorë të zonës kanë pritur grevistët duke i mbështetur dhe thirrur: “Drejtësia të shkojë në vend, duam drejtësi”.
Ata kërkonin pezullimin e punimeve, për shkak se ishte i vetmi burim jetese. Kujtojmë se pesë grevistët u mbyllën në një banesë private në katin e dytë të saj në qendër të Lumasit./abcnews.al/