May bën apelin e radhës: Të mos zgjedhim përçarjen dhe pasigurinë

schedule23:49 - 26 Nëntor, 2018

schedule 23:49 - 26 Nëntor, 2018

Në përpjekje për të bindur skeptikët, kryeministrja Thereza Mej ka paralajmëruar sërish ligjvënësit britanikë se, në rast se i thonë “JO” ujdisë së arritur mes Londrës dhe Brukselit, Mbretëria e Bashkuar do të shkojë drejt përçarjes.

Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë nëse Parlamenti i Britanisë refuzon marrëveshjen e Brexit, që qeveria ka arritur me Bashkimin Europian. Ka qenë ky mesazhi që ka përcjellë në adresë të ligjvënësve kryeministrja Thereza Mej, një ditë pas marrëveshjes së divorcit të arritur me Brukselin. Mej po përpiqet të mposhtë zërat kritikë në radhët e konservatorëve të saj dhe të partive të opozitës, të cilët kanë kërcënuar se do të votojnë kundër.

“Ka një zgjedhje që ky institucion duhet të bëjë. Mund ta mbështesë këtë marrëveshje, ose ta refuzojë dhe të kthehemi në fazën fillestare”, tha Mej në Parlament.

“Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë nëse ky akord nuk kalon, përveç faktit se do t’i hapë dyert përçarjes, pasigurisë dhe shumë rreziqeve”, vijoi kryeministrja.

Parlamenti britanik do ta thotë fjalën e tij në lidhje me marrëveshjen në votimin që do të mbahet më 12 Dhjetor dhe misioni i Mej për të bindur skeptikët nuk do të jetë i lehtë. Përballë ajo ka ministra të kabinetit të vetë, laburistët, liberal-demokratët dhe shumë parti të tjera të opozitës që kanë paralajmëruar se do të votojnë kundër.

Ndërkohë, në Irlandën e Veriut, partia Unionit Demokrat ka deklaruar se, nëse pakti miratohet nga ligjvënësit do të rishikojë paktin parlamentar me konservatorët, që aktualisht favorizon qeverinë e Mej. Më i prerë deri më sot ka qenë lideri i laburistëve, Xheremi Korbin, që ka thënë dhe rithënë se partia e tij do ta kundërshtojë ujdinë, duke e cilësuar atë si “më të keqen në botë”./abcnews.al