Taksa ndaj produkteve serbe, Buxhuku: Duhet të ishte vënë më parë

schedule20:38 - 26 Nëntor, 2018

schedule 20:38 - 26 Nëntor, 2018

Për Administratorin e Përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, taksa 100 përqind që Kosova ka vendosur ndaj produkteve serbe në doganë është e vonuar. Sipas tij, Serbia ka shkelur në mënyrë të përsëritur parimin e tregtisë së lirë mes vendeve që janë pjesë e CEFTA-s dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

“Që të jemi të qartë vendosja e taksës në kufi për prodektet serbe dhe Bosnje Hercegovinës ka një natyrë të fortë politike, por edhe ekonomike e tregtare. Si Shqipëria, Kosova, Serbia apo Bosnje Hercegovina janë pjesë përbërëse e CEFTA-s e organizatës për tregtinë e lirë në rajon dhe është bërë me nxitjen e partnerëve europoianë, por janë edhe të MSA. Ka ndodhur një gjë. Serbia në mënyrë të përsëritur sidomos ndaj Kosovës e ka shkelur në shumë raste parimin e tregtisë së lirë. Mjafton të përmendimin faktin që ka 4-5 vite që ka bllokuar linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, ku ajo është një linjë që nuk i shërben vetëm Shqipërisë dhe Kosovës, por është një linjë që shkon drejt krijimit rajonal të energjisë. Kjo është atmosfera që Serbia krijon ndaj Kosovës. Kjo taksë është vendosur sot dhe jo përpara disa vitesh kur duhet të ishte vënë për mendimin tim dhe duke u mbështetur me parimin e reciprocitetit. Mund të kemi që në momentin e parë rritje çmimesh për disa produkte në Kosovë, por këto janë hapësira që mbushen shpejt nga produkte të ngjashme që vijnë nga vende të tjera”, tha Buxhuku në Byro Politike.

Megjithatë, Buxhuku mendon se kjo taksë nuk do ketë pasojë të madhe pozitive për Shqipërinë dhe Kosovën. Sipas tij, të dyja vendet duhet të krijojnë një ekonomi të përbashkët.

“Ka një problem që Shqipëria nuk është vend prodhues kaq i fuqishëm dhe konkurrues edhe me vende të treta jo me Serbinë. Ai është një treg që përveç Serbisë do jetë i hapur. Është një impul, një potencial për t’u shfrytëzuar, por nuk mendoj që kjo do ketë një pasojë të madhe pozitive për dy vendet. Ne, Shqipëria dhe Kosova duhet të krijojmë një ekonomi të përbashkët, por kjo nuk organizohet me marrëveshje të tipit heq doganën, apo nënshkrimin e marrëveshjeve kulturore. Këto po e po, Shqipëria dhe Kosova në radhë të parë duhet të bashkojnë investimet e tyre”, tha Buxhuku.

/abcnews.al