Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për 18-vjeçarin Daniel Drobaj. Ai akuzohet për plagosjen me kapsolle të efektives Ina Nuka në protestën e banorëve të Unazës së Re para Parlamentit. I riu mbërriti në gjykatë me gishta të fashuar dhe pretendoi se ishte dhunuar nga policia pas arrestimit.
Daniel Drobaj, 18-vjeçari i dyshuar nga Prokuroria si personi që plagosi me kapsolle një oficere policie në protestën e së enjtes para Parlamentit u shfaq në kafazin e xhamtë të Gjykatës së Tiranës me gishta të fashuar. Sipas tij, gishtat i ishin dëmtuar nga dhuna policore dhe se dy prej tyre i kishin ngrirë. Me kërkesë të prokurorisë, seanca për Drobajn vijoi me dyer të mbyllura, vendim që nuk u mirëprit nga disa deputetë të opozitës të pranishëm në sallë.
Në përfundim të seancës, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për të riun. Sipas vendimit, ai do të qëndrojë në paraburgim ndërsa do të hetohet në këtë masë sigurie për akuzat e “plagosjes së rëndë me dashje”, “organizim dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “prishje e rendit dhe qetësisë publike” dhe “goditja për shkak të detyrës”. Prokurorët theksuan se Dobraj ka kryer veprime aktive në protestë dhe se ka dyshime se kapsolla që i këputi gishtat oficeres Ina Nuka ishte hedhur prej tij. Jashtë sallës së gjyqit, avokati Alfred Duka theksoi mungesën e provave konkrete kundër klientit të tij.
“Prokuroria nuk ka asnjë provë për të provuar që plagosjen e efektives së policisë e ka kryer i dyshuari, por pretendendon se ka një kohë televizive të hedhjes së një kapsolle në drejtim të policisë dhe ata pretendojnë se mund të jetë ky personi”, u shpreh avokati.
Daniel Dobraj u arrestua gati 24 orë pas protestës së banorëve të Unazës së Re në 22 Nëntor para Parlamentit, e cila precipitoi në dhunë kundër punonjësve të policisë. Policia tentoi ta ndalojë atë pranë protestës, por ai mundi të shpëtojë./abcnews.al