Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, mori pjesë në inaugurimin e pallatit që do shërbejë për banesa sociale për banorët e prekur nga punimet në kaskadën e Devollit. Nga Gramshi, Gjiknuri nuk la jashtë vëmendjes edhe projektin e Unazës së Madhe në kryeqytet duke theksuar se po shihet edhe trajtimi preferencial për banesa sociale për banorët që preken nga projekti.
U inaugurua në Gramsh një pallat i ri me banesa sociale i cili do të strehojë disa prej banorëve të fshatit Drizë që ishin prekur nga projekti i ndërtimit të kaskadës së Devollit. Të pranishëm në inaugurimin e banesave sociale ishin ministri Damian Gjiknuri si dhe kryetarja e Bashkisë së Gramshit.
Ministri Gjiknuri gjatë fjalës së tij në Gramsh tha se ky objekt sistemon një pjesë të banorëve që preken nga projekti i kaskadës së Devollit.
“Ky objekt realizon sistemimin e një pjese të banorëve që preken nga zhvillimi i projektit të Kaskadës së Devollit. Për një pjesë tjetër janë ndërtuar shtëpi të reja. Pjesa e mbetur që nuk kishte as tokë është sistemuar këtu në qytetin e Gramshit”, u shpreh Gjiknuri.
Më tej, Gjiknuri u ndal edhe tek rasti i Gramshit si një model që do të shërbejë për trajtimin e banorëve që preken nga punimet që do të zhvillohen për Unazën e Madhe në Tiranë.
“Ne po ndërtojmë edhe shembujt konkret ku banorët që afektohen nga projektet publike do të gjejnë zgjidhje nëpërmjet pagesës dhe këtu i referohem edhe rastit të Unazës së Madhe të Tiranës. Do të trajtohen me tre vite qira të paguar nga Bashkia e Tiranës dhe mbështetur nga qeveria. Do të shikohen me trajtim preferencial për banesa sociale ose kredi të buta për strehimin e tyre. Zgjidhjet nuk mungojnë, ne jemi duke i implementuar këto në zona të ndryshme të Shqipërisë, ku preken nga projekte madhore. Mendoj se ky është një rast konkret që ky projekt mund të zbatohet edhe në Tiranë”, tha ministri./abcnews.al