Marrëveshja e tërheqjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian është miratuar nga udhëheqësit e BE-së. 27 udhëheqësit i dhanë mbështetjen e tyre pas një diskutimi më pak se një orë në samitin e Brukselit. Marrëveshja duhet të miratohet edhe nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar. Por ky akord kundërshtohet nga shumë deputetë britanikë.
Dy vjet e gjysmë pas referendumit, dhe pas tetëmbëdhjetë muaj bisedimesh të thella, Bashkimi Evropian miratoi marrëveshjen Brexit mëngjesin e së Dielës. Njoftimi vjen nga samiti i 27 udhëheqësve të Unionit të mbledhur në Bruksel, ku edhe Theresa May ishte e pranishme që prej së shtunës, për të diskutuar hollësitë përfundimtare të marrëveshjes. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ishte i pari që komunikoi miratimin e paktit me një mesazh në tuitër. Pak përpara aprovimit, Tusk citoi një varg nga Freddie Mercury, këngëtari i Queen që vdiq 27 vjet më parë, për të përmbledhur momentin historik: “Miqtë do të mbeten miq deri në fund”.
Pra është një divorc miqësor, të paktën në letër. Por është ende e paqartë nëse marrëveshja e ndarjes do të hyjë në fuqi. Sipas disa zërave të raportuara nga “Sunday Telegraf”, 91 deputetë konservatorë janë gati ta hedhin poshtë atë kur do të diskutohet nga parlamenti britanik me 10 Dhjetor për votën e nevojshme të ratifikimit. Dhe deri në dhjetor, Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar mund të anulojë rezultatin e referendumit të vitit 2016, shkruan “The Independent” pas denoncimit të fondeve të paligjshme në fushatën për Brexit.
Në samit, krerët e BE-së miratuan dy dokumente. I pari përmbante 580 faqe të marrëveshjes për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, që përcakton çështje të tilla si të drejtat e mbi 3 milionë qytetarëve të BE-së që banojnë në këtë vend, 42 miliardë euro kontribute financiare që do të duhet të paguajë Londra në Bruksel përpara se të largohet dhe çështja më e komplikuar, si ta mbajë kufirin e hapur midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës, duke mbrojtur paqen në rajon, kur të bëhet kufiri i vetëm tokësor ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian. Kjo është një pikë që ngre polemika mes atyre që mbështesin largimin për shkak të kufirit me kontroll, formula me të cilën e gjithë Britania do të mbetet pjesë e bashkimit doganor evropian derisa të gjendet një zgjidhje alternative.
Dokumenti i dytë është vetëm 26 faqe dhe ka të bëjë me të ardhmen e marrëdhënieve ekonomike, tregtare, ushtarake dhe të çdo lloji tjetër midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së: një marrëveshje pa kufizime ligjore e cila në praktikë përfaqëson vetëm bazën për negociatat e reja që do të fillojnë pas 29 Marsit 2019, kur Britania do të dalë zyrtarisht nga BE dhe do të zgjasë të paktën deri më 31 Dhjetor 2020, në një fazë tranzicioni në të cilën në thelb asgjë nuk do të ndryshojë./abcnews.al