Donjet Shkodra dhe golat e tij me Flamurtarin nuk harrohen lehtë. Mesfushori, i cili së fundmi ka luajtur në Kazakistan me klube si Shakhter Karagandy, Zhetysu dhe Atyrau është lojtar i lirë, pasi i ka përfunduar kontrata.
Gjatë periudhës së merkatos nuk mungojnë edhe thashethemet e shumta dhe para pak kohësh Shkodra është diskutuar si një opsion për Dinamon. Gjithsesi tani ajo pistë ka rënë dhe Shkodra po shqyrton ofertat e tjera.
Blutë e kryeqytetit llogarisin për mesfushën Besir Demirin, që e morën nga Kukësin, ndërkohë që pritet të zyrtarizohet edhe Lancinet Sidibe këtë fundjavë.
Këta dy lojtarë mendohen si zgjedhjet e para të trajnerit Bledi Shkëmbi dhe te 18 herë kampionët e vendit nuk ka interes për Shkodrën.
Ky i fundit në Superiore nuk ka luajtur vetëm me Flamurtarin ku ka spikatur me 9 gola të shënuar. Mesfushori ka veshur edhe fanellën e Skënderbeun dhe të Kukësit, para se të largohej drejt Kazakistanit. /abcnews.al