Gjykata për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për tetë personat e arrestuar nga operacioni “Uraka 2”. Ata dyshohet se në formën e një grupi kriminal do të transportonin 578 kilogramë kanabis drejt Turqisë, ku do ta këmbenin me heroinë për ta rikthyer në vend. ABC News siguroi kërkesën e prokurorisë, ku zbardhen përgjimet dhe detaje të hetimit.
Tetë personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Uraka 2” pranë Qafë-Thanës, si anëtarë të një grupi që do të trafikonte 578 kilogramë kanabis drejt Turqisë dolën të shtunën për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën për Krimet e Rënda.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura për median, të tetë të arrestuarit mohuan përfshirjen e tyre në ndonjë linjë të trafikut në narkotikëve. Drejtuesi i mjetit furgon ku u gjet droga pretendoi se ishte kontraktuar për të transportuar mjetin nga një pikë në tjetrën, pa pasur dijeni për ngarkesën e drogës.
Pretendimet e tyre nuk bindën gjyqtarin Bib Ndreca, i cili caktoi për secilin masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “trafikut të narkotikëve” në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal”.
ABC News ka siguruar një kopje të kërkesës së prokurorisë, ku zbardhen detaje të hetimit, përgjimet që i futën në “grackë” dhe rolet e të dyshuarve në grupin kriminal.
Prokuroria ka paraqitur si provë disa përgjime telefonike mes të pandehurve dhe vëzhgime ambientale të lëizjeve të tyre. Në një nga këto biseda Arianit Bida i thotë të arrestuarit Arben Cristea se do të marrë 5 kilogramë mish, por sipas prokurorisë dyshohet se kjo është fjalë kod për drogën.
Sipas prokurorisë, grupi në fjalë do trafikonte sasinë e kanabisit drejt Turqisë, ku pasi ta këmbenin me heroinë do ta sillnin në Shqipëri. Droga dyshohet se sigurohej nga Aranit Bida në Telepenë dhe po ai organizoi transportin në aksin Tepelenë-Fier-Rrogozhinë-Elbasan me destinacion Pogradecin.
Në këtë vend droga do merrej nga një shtetas me emrin “Gjon”, i cili dyshohet se do trafikonte lëndën në Maqedoni e Greqi, ndërsa kalimi i saj në Maqedoni do të bëhej përmes liqenit të Ohrit nga ana e Suferim Dukollarit. “Pazari” për drogën dyshohet të jetë bërë nga i arrestuari Adi Çela dhe një shtetas turk që rezulton të jetë futur në Shqipëri nga Kosova në 30 Gusht 2018.
Jashtë sallës së gjyqit avokatët mbrojtës të të arrestuare hodhën dyshime për ligjshmërinë e veprimeve proceduriale nga ana e prokurorisë gjatë hetimit të çështjes./abcnews.al

