Duro për ABC: Zirkzee “flet” për forcën e Anderlecht, lojtarëve u kam kërkuar vetëm diçka

schedule16:39 - 4 Gusht, 2021

schedule 16:39 - 4 Gusht, 2021

E enjte, ora 19:00, Laçi do të përballet në turin e tretë të Conference League me gjigantët e Anderlecht në stadiumin “Elbasan Arena”. Dy ture të kaluara dhe bardhezinjtë e kanë shkruar historinë e tyre. Gjithsesi ata nuk duan që ta konsiderojnë një shëtitje duelin e radhës me belgët.

Trajneri Shpëtim Duro, në intervistën e dhënë për gazetarin e abcnews.al, Vladimir Prenga, thekson se futbollistët e Laçit duhet të jenë të qetë dhe të japin më të mirën e tyre, pasi në aspektin e objektivave ata e kanë bërë pjesën e tyre.

Për të treguar forcën e Anderlecht, Duro vë në dukje transferimin e një dite më parë: sulmuesin holandez të Bayern Munich, Joshua Zirkzee, i cili u mor nga belgët në huazim.

-Profesor, përballë do të keni Anderlecht, një emër të madh të futbollit belg. Si është përjetuar në skuadrën tuaj kjo?
-Sigurisht jemi në një situatë pozitive sa i takon anës morale, pas atij kualifikimi historik ndaj një rivali si Universitatea Craiova, me potencial financiar të lartë. Jemi të qetë sa u takon objektivave. Sigurisht jemi edhe të kënaqur që përballemi me një ekip si Anderlechti.

 

-Sa e ndihmon Laçin fakti që luan pa presion?
-Normalisht presionin nuk e kemi ne, por çdo ndeshje ka vlerat e saj. Kemi dëshirë që të bëjmë një paraqitje dinjitoze ndaj Anderlecht, si në ndeshjen e parë ashtu edhe në të dytën.

-Realisht, a mund ta ëndërroni kualifikimin?
-Kam mendimin që me rëndësi është të luajmë, pastaj të shikojmë si do zhvillohet loja, situatat, rezultati i ndeshjes së parë është i rëndësishëm. Pastaj të shikojmë se çfarë do të ndodhë.

-I keni thënë diçka futbollistëve para kësaj ndeshje? Keni ndonjë mesazh për të?
-Patjetër që me futbollistët komunikojmë çdo ditë, jemi të grumbulluar. Kemi parë ndeshjet e kundërshtarit tonë, Anderlechtit, nëpër video. I kemi analizuar dhe u kam thënë të luajnë me besim, të qetë dhe të tregojnë atë shpirtin e garës si në ndeshjet e tjera.

 

-Do ju kënaqte qoftë edhe një barazim nesër, që Laçit do i shërbente për koeficient në sezonin e ardhshëm? Çfarë ka diçka që ju tremb nga kundërshtari në prag të kësaj ndeshje?
E rëndësishme është që skuadra të luajë mirë, me besim, të bëjë paraqitje të mirë. Rezultati është diçka tjetër. Kundërshtari, pavarësisht se nuk është ai i viteve të mëparshme, sërish është mes 3-4 skuadrat më të mira të futbollit belg.

Dihet niveli i futbollit atje, ka futbollistë jashtëzakonisht të mirë, me përvojë, të rinj të talentuar. Edhe afrimi i fundit (Joshua Zirkzee) në huazim, që ju e keni parë, është një nga lojtarët më të talentuar të Bayern Munich dhe tregon gjithçka për kundërshtarin. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!