Pavarësisht niveleve të larta të abuzimit, kemi parë kohët e fundit shenjat e një betejë serioze të SPAK-ut, i ngritur si strukturë e posaçme për të luftuar korrupsionin në nivele të larta.
Në emisionin “Vetting” në ABC është folur për një prej aksioneve më të bujshme ishte akuza e ngritur ndaj zyrtarëve të ministrisë së brendshme në lidhje me tendering për blerjen e uniformave të policisë së shtetit.
Këtë korrik, hetuesit e SPAK-ut zbarkuan në ministrinë e brendshme, ku u arrestuan 8 zyrtarë e ish-zyrtarë, ndërsa u la në ‘arrest shtëpie’ një tjetër. Ata akuzohen për abuzime me tenderin për uniformat e policisë së shtetit, me vlerë 2.8 miliardë lekë, ose rreth 25 milion euro, abuzim që do të duhej të kishte tronditur gjithë qeverinë.
Duket kaq e pabesueshme që një shumë kaq e madhe të jetë lëvruar pa dijeninë e titullarëve, drejtorit të policisë së shtetit, sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së brendshme, por edhe vetë ministrit të brendshëm.
Arben Kraja: Nuk duhet të futemi në detaje se është në hetim. Në parim them që nuk mund të shkohet në opinione shkohet me prova dhe me vlerësim të situatës se çfarë kanë bërë dhe a janë bërë në bazë të ligjit.
Nëse kjo ngjarje do të kishte ndodhur pesë vite më parë, atëherë shpresat për drejtësi nuk do të kishin ekzistuar, sepse e gjithë situata do të kishte përfundur në akuzën “për shpërdorim detyre”. Por aktualisht shqiptarët po jetojnë me shpresën e stuhisë së SPAK-ut, e cila pritet të mbërrijë deri në nivelet më të larta të administratës.
Arben Kraja: Nuk shkon në zyrën e ministrit se dua unë. Por shkon kur ka vepër kriminale dhe kur ka prova. Stuhia do shkojë kudo dhe kushdo që të jetë brenda standardeve ligjore.
Me mbështetjen e Shteteve të bashkuara të Amerikës, SPAK, duket i angazhuar për të çuar deri në fund betejën. Hetimet për tenderin e uniformave të policisë, ende nuk kanë përfunduar, pasi mund të ketë zyrtarë më të lartë të përfshirë në këtë aferë, por që janë treguar më të kujdesshëm në fshehjen e gjurmëve. Drejtuesi i SPAK sqaron për Vetting, rrugën që do të gjejë kjo strukturë për të mbërritur deri në detajet e këtij abuzimi.
Kreu i SPAK flet sigurisht me rezerva, kur e pyesim për mundësinë e përfshirjes së zyrtarëve të lartë në këtë aferë korruptive.
Arben Kraja: Ajo dosje ka një vit që hetohet dhe e thash më para që hetimi do kohën e vet. Për të mbledhur provat dhe për të arritur në konkluzion. Ka dallim mes pritshmërisë së publikut, dhe provave dhe realiteti. Në veprojmë në bazë të provave. Kush është përfshirë dhe ka lënë gjurmë do ndëshkohet. Pastaj a ka të përfshirë dhe nuk kanë lënë gjurmë zgjidhet nga hetimi.
Arben Kraja: Nuk është se kemi një plan të flasim realisht dhe të marrim këtë e këtë për peshq të mëdhenj. Por do i shkohet deri në fund. Koncepti peshk i madh është figurativ se ne punojmë me konceptim për të eliminuar pa ndëshkueshmërinë është më koncept i drejtë. Kushdo që të jetë zyrtari që kryen veprim kundër ligjit dhe nuk merr ndëshkim ajo ndikon në të gjithë sistemin. Është e rëndësishme që të marrë ndëshkimin e merituar. /abcnews.al/