Autoritetet shëndetësore në Gjirokastër janë të alarmuar sa i përket mungesës së kontrolleve të gjendjes shëndetësore të personave që hyjnë në vendin tonë përmes pikës kufitare të Kakavijës.
Drejtori I njësisë të kujdesit shëndetësor Arenc Brahimi thotë se të infektuarit me Covid të kohëve të fundit janë emigrantët e kthyer.
“Burimi kryesor i infektimit në Gjirokastër, në këto dy muajt e fundit, kanë qenë ata persona që kanë ardhur nga Greqia. Kemi një pikë kontrolli doganë, që bën një përzgjedhje të personave.”
Brahimi thekson se të prekurit nga virusi nuk e kanë bërë as vaksinën. Ndërkohë që ka hyrë dhe varianti Delta.
“Kemi disa probleme më tepër me personat që vijnë nga shtetet e huaja, kryesisht nga Greqia pasi janë kryesisht të pavaksinuar. Për ne, vaksinimi është e vetmja mënyrë për të fituar betejën.”
Aktualisht në Gjirokastër ka vetëm një vatër aktive dhe shumë të dyshuar që janë në pritje të përgjigjes së testit. /abcnews.al/

