Shkolla 9- vjecare “Betim Muço” në Tiranë tashmë do të mbajë edhe bustin e tij. “La një vepër të pavdekshme” tha kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, për shkrimtarin dhe fizikantin në ceremoninë e organizuar me këtë rast.
Shkrimtari, poeti, përkthyesi dhe fizikanti Betim Muço është përkujtuar nga të afërm, familjarë, por edhe stafi pedagogjik dhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare që mban emrin e tij në Tiranë. Në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë tashmë veç emrit do të mbajë edhe bustin e shkrimtarit. Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, e cilësoi këtë ceremoni si një moment reflektimi për gjurmët që lemë në jetë.
“Në qoftë se ka një arsye pse sot nuk e konsideroj një ditë pikëllimi, por një ditë gëzimi për veprën e Betimit, është se me sa duket ai e gjeti këtë përgjigje dhe fakti që sot kishim dy zonja, zonjusha të nderuara, mësuese që i lexonin jetëshkrimin respektivisht për arritjet në fizikë, sizmologji, shkencë apo në letërsi, në shkrime, do të thotë që ai arriti ta kthente këtë përgjigje dhe përgjigja ishte ‘lër një vepër për të cilën ia vlen të kujtohesh, për të cilën ia vlen të emërtohet një institucion, ia vlen të përpiqet një skulptor’. Ndoshta ky është çelësi i pavdekësisë”.
Bashkëshortja e Betim Muços uroi që figura e bashkëshortit të saj të kthehet në frymëzim për brezat e rinj.
“Një falënderim i veçantë shkon për z. Erion Veliaj, kryetarin e bashkisë, ai që ideoi vënien e emrit të shkollës. Unë jam shumë – shumë mirënjohëse që e kemi sot këtu midis nesh me gjithë punët e shumta që ka Bashkia e Tiranës. Uroj që figura e Betimit dhe të gjitha ato që ka sjellë ai, arritjet e tij të jenë frymëzuese për nxënësit e shkollës që të arrijnë suksese të mëtejshme. Ne do të vazhdojmë këtë aktivitet edhe duke dhënë familja disa çmime për nxënësit më të mirë në letërsi, disa çmime për nxënësit më të mirë në fizikë, në mënyrë që të motivojmë nxënësit dhe që të mbajnë lart këtë që na ka lënë Betimi, trashëgiminë e Betimit”.
Gjatë kësaj ceremonie u shpërndanë edhe bursa për nxënësit më të mirë të shkollës “Betim Muço” në fizikë dhe letërsi./abcnews.al