Gjatë vizitës zyrtare në Gjermani Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është takuar me Sekretarin e Shtetit, Christian Lange në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Gjermanisë.
Temë kryesore e këtij takimi ishte ecuria e Reformës në Drejtësi. Përfaqësuesit e Shqipërisë në takim e njohën sekretarin Lange me ecurinë e Vettingut që paraprin ngritjen e institucioneve të reja KLGJ dhe KLP, si dhe të BKH dhe SPAK. Nga ana e tij Balla u shpreh se ka bindjen që procesi i Vettingut në radhët e drejtësisë është duke dhënë rezultate të kënaqshme në rrugën e forcimit të shtetit të së drejtës.
Kjo u mbështet edhe nga Sekretari i Shtetit gjerman, sipas të cilit, përfundimi i kësaj reforme dhe ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, do të shërbejnë për të forcuar edhe më tej luftën kundër krimit të organizuar. /abcnews.al