Gruevski konfirmon: Hungaria pranoi kërkesën time për azil

schedule16:17 - 20 Nëntor, 2018

schedule 16:17 - 20 Nëntor, 2018

Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski ka konfirmuar se Hungaria ka pranuar kërkesën e tij për azil politik. Gruevski zgjodhi rrjetin social Facebook për të pohuar atë që agjencitë e huaja të lajmeve kishin raportuar gjatë ditës.

Hungaria i ka dhënë azil politik ish-kryeministrit të Maqedonisë Nikola Gruevski. Lajmin e ka konfirmuar vetë Gruevski me anë të një mesazhi në profilin e tij në Facebook.

Ndër të tjera ai shkruan se Hungaria, vend anëtare e BE-së dhe NATO-s, iu përgjigj pozitivisht kërkesës së tij për marrjen e azilit politik, për shkak të përndjekjes politike që sipas tij po i bëhej në Republikën e Maqedonisë. Në kërkesën për azil Gruevski theksonte se kërkonte azilin për shkak të përndjekjes politike nga ana e qeverisë së re të udhëhequr nga LSDM-ja.

Ai shtoi se është i bindur se qeveria maqedonase dëshiron ta privojë nga liria duke shfrytëzuar hapa dhe metoda jodemokratike dhe duke keqpërdorur sistemin gjyqësor në Maqedoni. Në fund të mesazhit të tij ai shkruan se nuk i është larguar drejtësisë por ka shfrytëzuar metodat ndërkombëtare të së drejtës, dhe se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për vete dhe për gjithë viktimat e tjera të ndjekjes politike në Republikën e Maqedonisë /abcnews.al