807 miliardë lekë është vlera totale e kontratave të dhëna me Partneritet Publik Privat. Shifrën e bëri publike ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, sipas të cilit ky bashkëpunim me privatin është më fitimprurës.
Me sytë e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Partneriteti Publik Privat i njohur si PPP janë një alternativë që jo vetëm shton asetet, por edhe mundëson shërbime për qytetarët. Si pjesë e diskutimit në komisionin e ekonomisë, Arben Ahmetaj tregoi me shifra kontratat që qeveria ka dhënë me PPP.
“Vlera totale e kontratave të dhëna PPP është 807 miliardë lekë nga të cilat 391 miliardë lekë janë te hidrocentraleve. Sipas Ahmetajt 262 hidrocentrale vijojnë të jenë akoma në proces ndërkohë që balanca e fryrë e PPP është pikërisht kjo që raportohet”, u shpreh Ahmetaj.
Ndërsa akuzave të opozitës i përgjigjet po me akuzë. Rruga Tiranë-Elbasan e kontraktuar në 2011, deri në këtë moment ka kaluar vlerën me 100 mln dollarë.
“U nis me një kosto 304 milionë dollarë por ka shkuar 405 milionë dollarë. Nëse verifikohen, pretendimet ekstra kapin vlerën 36 milionë dollarë, 41.6 % më shumë në raport me prokurimin publik. Aksi Qafë Thanë-Lin-Pogradec ka kërkuar sërish më shumë para”, tha Ahmetaj.
Nuk la pa përmendur as ligjin e ri të Partneriteteve Publike Private që do të ndryshojë për ofertat e pakërkuara.
“Konkretisht me anë të këtij ligji është propozuar që nga 1 Korriku 2019 transporti dhe infrastruktura nuk do të ketë PPP me ofertë të pakërkuar. Po kështu do të bëhet heqja e bonusit për PPP të pakerkuara ndërkohe që dhe ato që do të mbeten pra portet dhe aeroportet, do te hiqet bonusi”, u shpreh kreu i financave.
Ministri Arben Ahmetaj theksoi se do të bëhet heqja e PPP të pakërkuara në një sërë sektorësh./abcnews.al