Xherdan Shaqiri ka dhënë sot një intervistë të gjatë për Corriere dello Sport dhe ka treguar qartë se ç’bëhet me të ardhmen e tij. Teksa flet shkoqur, ai tregon se Liverpool ka pranuar kërkesën e tij për t’u larguar dhe dëshiron një kalim në Itali, ku Lazio e Sarrit e Tares e intrigon.
“I kam thënë Liverpoolit se ndihem gati për një sfidë të re. Ata e kanë pranuar dëshirën time dhe do të marrin seriozisht në konsideratë ofertat që do vijnë. Ata nuk do të më pengojnë. Kam qenë shumë pranë trasnsferimit tek Roma dhe Sevilla një vit më parë. Liverpooli nuk ka qenë i gatshëm të dëgjonte ofertat për mua.
Nëse do kthehesha në Itali? Kush nuk është i dashuruar me jetën atje? Ajo që të “godet” më shumë është dashuria e italianëve për futbollin. Tifozët janë të pabesueshëm. Thashethemet për Lazion? Tare ka vite që bën punë të shkëlqyer.
Nëse është e vërtetë që ai ka respekt për mua, ndihem i nderuar. E ndjek Lazion prej një kohe të gjatë, ata janë klub i nivelit të lartë. Më pëlqen shumë futbolli ofensiv i Sarrit, do ishte intriguese të luaja për të”, përfundoi Shaqiri. /abcnews.al