Aksidenti tragjik, Kurti: Ngushëllime familjarëve, ministri i Brendshëm drejt Kroacisë

schedule10:55 - 25 Korrik, 2021

schedule 10:55 - 25 Korrik, 2021

Një aksident me pasoja fatale u regjistrua mëngjesin e sotëm në Brod të Kroacisë.

Një autobus me targa të Kosovës është aksidentuar dhe për pasojë 10 pasagjerë kanë humbur jetën, ndërsa mbi 30 persona janë transportuar në spital për shkak të dëmtimeve që kanë marrë.

Lexo edhe: Aksident në Kroaci, autobusi nga Kosova del nga rruga: 10 viktima dhe mbi 30 të lënduar

Autoritetet në Kosovë kanë shprehur ngushëllimet për humbjen  e viktimave.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nëpërmjet një reagimi në rrjetin social “Facebook”, bën me dije se Ministri i Brendshëm i Kosovës është nisur drejt  Kroacisë, në vendin ku u regjistrua aksidenti fatal, po ashtu edhe ambasadori i Kosovë në Zagreb do të jetë prezent.

Lexo edhe: “Më i rëndi që kam parë”, 10 viktima në autobusin e Kosovës, mjeku: 45 të plagosur, 8 rëndë

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit.  Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb.  Me ankth e shpresë jemi pranë qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre në këto çaste të rënda”, shkruan Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve që kanë humbur të afërmit në këtë aksident, ndërsa i uron shërim të shpejtë të lënduarve.

“Lajm tragjik e i rëndë sot për vendin tonë. Nga kontakti me Ambasadën e Kosovës në Zagreb dhe me autoritetet kroate, jam njoftuar se nga një aksident komunikacioni që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën tragjikisht dhjetë udhëtarë e shumë të tjerë janë lënduar. Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë!

Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë. Veprimet tona shtetërore do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, ndaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t’u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik”, ka thënë Osmani.

Gjithashtu një reagim ka ardhur edhe nga kreu i Kuvendit në Kosovë, Glauk Konjufca i cili ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave pas aksidentit tragjik të shënuar në Brod të Kroacisë, ku humbën jetën 10 persona.

 “Në mëngjesin e sotëm ka ndodhur një aksident i rëndë në autostradën Slavonski Brod në Kroaci! Autobusi ishte i linjës Frankfurt-Prishtinë, i mbushur me bashkatdhetarë. Duke u lutur që të ketë sa më pak viktima, bashkë ndjejmë të pikëlluar me familjarët e bashkatdhetarëve që u aksidentuan në këtë ngjarje të trishtë”, shkruan Konjufca.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur u tronditur nga aksidenti i sotëm.

“Bashkëndjej me familjarët e dhjetë udhëtarëve që humbën jetën dhe lutemi për shërimin e shpejtë të të lënduarve”, është shprehur Haradinaj nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, ndërsa falënderon shtetin kroat për interesimin e tij.

Reagimi:

“I tronditur nga ngjarja e sotme tragjike në Kroaci, pas aksidentit që pësoi autobusi që po vinte nga Gjermania në Kosovë. Bashkëndjej me familjarët e dhjetë udhëtarëve që humbën jetën dhe lutemi për shërimin e shpejtë të të lënduarve. Falënderoj organet e shtetit kroat, e në veçanti kryeministrin z. Andrej Plenkovic për interesimin dhe kujdesin e tij.”

Një reagim ka ardhur edhe nga kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli i cili i shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave.

“Një aksident tragjik, me së paku 10 viktima ka ndodhur këtë mëngjes në Brod të Kroacisë me autobusin kosovar të Deva Tours. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve! Të lutemi po ashtu për shërimin e shpejtë të mbijetuarve”, shprehet Pacolli.

Ngjarja tragjike u regjistrua mëngjesin e sotëm, pasi autobusi me targa të Kosovës, i linjës Frankfurt-Prishtinë është aksidentuar./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!