“ABC” ka siguruar dosjen e plotë të tenderit të uniformave të policisë së shtetit. Në dokumentet e siguruara nga gazetari Ermal Vija parashtrohen edhe pretendimet e të arrestuarve që kërkuan lirinë, por që gjykata i refuzoi me përjashtim të Anisa Bogdanit, e cila ka një fëmijë të mitur.
“Rreziku i ikjes është inekzistent, pasi e hetuara ka një fëmijë të vogël 4 -vjeç dhe është në një proces të vështirë divorci. Ajo punon pedagoge dhe duhet të jetë prezente ndryshe humbet të ardhurat. Ka një kredi për të shlyer dhe duhet të punojë” tha avokati i Anisa Bogdanit dhe pretendimi u pranua nga gjykata.
Anisa Omuri kërkoi lirinë nga qelia me argumentin se ka probleme me shëndetin. “Kam probleme shëndetësore. Kam bërë një ndërhyrje kirurgjikale dhe gjendja psikologjike më është rënduar, kërkoj një masë më të butë”.
Lexo edhe: “Më lironi, më rrezikohet jeta në burg”, dëshmia e Naqellarit: Nuk arratisem, më skadoi pasaporta
Kleivis Hasani i tha gjyqtares se ka punuar me ndershmëri dhe se nuk është i përfshirë. “Jam punonjës i devotshëm i policisë së shtetit. Sapo jam bërë edhe me një djalë, kam edhe një kredi për të paguar, kërkoj lehtësimin e masës së sigurisë”.
Po ashtu edhe Gëzim Mingaj kërkoi një masë më të lehtë për arsye shëndetësore. “Pas 43 vitesh punë kam dalë në pension. Kam punuar me ndershmëri. Vuaj nga një sërë sëmundjesh, jam vetëm me një veshkë”.
Ndërkohë që Mariglen Muzali tha se është pedagog dhe duhet që të diplomojë studentët. “Kërkoj ndryshimin e masës së sigurisë për dy arsye, e para më ka mbaruar pasaporta dhe nuk kam si të largohem dhe e dyta sepse unë jam mësim, tani është sezoni i provimeve të masterit.
Ndihem shumë keq me këtë situatë, ku të shkosh 5 vite me studentët dhe të mos arrish ti diplomosh në vitin e fundit është absurditet”. Por të gjithë u lanë në burg me përjashtim të Anisa Bogdanit. Nëntë zyrtarët akuzohen për skandalin e tenderit të uniformave me vlerë 2.8 miliardë lekë.
Të 9 të dyshuarit Edlira Naqellari, Flutura Cekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kreshnik Bejkaj, Klevis Hasani, Fatmir Demneri, Gëzim Mingaj dhe Mariglen Buzali i janë drejtuar Gjykatës së Apelit dhe kërkojnë lehtësim të masave të sigurisë./ db/Abcnews.al