“Hysaj një krimb, Lazio është fashiste”, ishte pankarta e shpalosur së fundmi nga disa tifozë të Lazios, në përgjigje të këngës “Bella Ciao”, të cilën Hysaj e këndoi në prezantimin e tij në klub dhe ngjalli reagime të forta kundër nga tifozët më pikëpamje fashiste apo anti-partizane.
Lazio i ka dalë që në fillim në mbrojtje Hysajt dhe e bën edhe pas kësaj pankarte. Përmes një deklarate zyrtare, klubi dënon ashpër këtë veprim të tifozëve dhe shprehet se nuk ka aspak frikë nga kërcënimet e atyre, që e politizojnë këtë ngjarje dhe duan të dëmtojnë Lazion.
REAGIMI – Klubi Sportiv Lazio dënon ashpër banderolën e turpshme kundër lojtarit Elseid Hysaj. Nuk është episodi i parë i këtij lloji. Ne kurrë nuk do të jemi në krah të atyre që mohojnë vlerat e sportit.
Nga ana tjetër, ne jemi në krah të atletit tonë dhe të të gjithë lojtarëve të tjerë të përfshirë në përgatitjet para-sezonale në javët e fundit. Ne qartësisht distancohemi nga ata që duan të shfrytëzojnë këtë ngjarje që dëmton ekipin, të gjithë tifozët e Lazios dhe klubin për qëllime politike.
Ne nuk do të frikësohemi nga ata që përdorin tone të dhunshme dhe agresive: për ta nuk ka hapësirë në botën tonë, e cila në vend të kësaj frymëzohet nga vlerat e shëndetshme sportive të besnikërisë dhe konkurrencës, respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës civile dhe që synojnë të kapërcejnë gjithë gardhet e një natyre shoqërore, kulturore, ekonomike dhe racore. /abcnews.al