Plazhi i Semanit pa investime, dy fshatra nuk kanë rrugë e ujë

schedule14:06 - 17 Korrik, 2021

schedule 14:06 - 17 Korrik, 2021

Ndodhen vetëm dy km larg plazhit të Semanit, por në fshatrat Topojë dhe Grykë, nuk qëndron asnjë vizitor apo pushues.

Banorët e këtyre fshatrave nuk sigurojnë dot asnjë shërbim  për turistët.

Asnjë investim nuk është bërë këtu prej dekadash madje edhe asfaltimi i rrugës në vend të zgjidh, po krijon probleme të reja.

Agron Cako, banor i fshatit Grykë tregon se si u katandis projekti madhështor për rrugën Fier-Seman, në një rrugë më të ngushtë nga ajo që ishte me trotuar të shtruar me çakull.

“Kam dëgjuar që do të bëhet trotuar, por që trotuarin do ta bëjnë me çakull e kjo do shkaktonte vetëm pluhur”, thotë ai.

Të njëjtin shqetësim kanë banorët e tjerë të fshatit duke e konsideruar investimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si tallje me banorët.

“Ne u gëzuam kur njoftuan se do të shtronin trotuarin. Por nga 6 m që është e kanë bërë 4 m. Nuk jemi dakord fare me këtë rrugë është shumë keq”, thotë një tjetër qytetare.

Rruga e ngushtë dhe e asfaltuar tashmë rrezikon edhe pushuesit

“Rruga është shumë e ngushtë kështu mund të ndodhin edhe aksidente. Të paktën të zgjerohet edhe një metro”, thotë një pushues.

Mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm ka bërë që plazhi i Semanit të frekuentohet vetëm nga pushues ditorë duke privuar banorët nga përfitimet që mund t’u sillte turizmi.

Por banorët këtu nuk marrin as shërbimet për tokën si vaditja në verë dhe kullimi në dimër.

Semani si një destinacion tradicional për pushime është braktisur nga pushuesit vitet e fundit duke u larguar gjithnjë e më shumë nga profili turistik.

Ndërkohë ndërtimi i  stacionit të pompimit të TAP dhe impianteve me panele diellore po i japin formën e një zone industriale/abcnews.al/