Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka ndjekur procesin e vaksinimit në “Air Albania” , ndërsa u shpreh se nga e hëna do të nisë java e vaksinimit të hapur për çdo qytetar mbi 18-vjeç.
Manastirliu i bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen sa më parë, pasi ka një alert të shtuar për prezencën e variantit Delta në vend.
“Kemi vendosur që me mbërritjen e sasive të mëdha të vaksinave na krijohet mundësia që të krijojmë jo vetëm ditë, por edhe javë të hapura të vaksinimit. Nga dita e hënë , do të kemi javën e parë të hapur të vaksinimit për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç.
Ne jemi duke ecur me ritme të mira të vaksinimit. Por ajo çfarë apelohet është vaksinimi i qytetarëve me të dyja dozat e vaksinës kundër Covid.
I bëj apel të gjithë qytetarët të vaksinohen. Ne duam që të kemi një përballje sa më të lehtë me periudhën vjeshtë-dimër dhe puna jonë do të jetë mobilizimi në terren për të vaksinuar”, tha Manastirliu.
/abcnews.al/