Vendimi në ditën e fundit, dritë jeshile Durrësit: Gjeni zgjidhje për plehrat, lekët i jep qeveria

schedule16:32 - 15 Korrik, 2021

schedule 16:32 - 15 Korrik, 2021

Këshilli i Ministrave me firmën e zv/ kryeministrit Erion Braçe i ka hapur rrugën e financimit nga paratë e buxhetit të shtetit zgjidhjes së problemit të plehrave në bashkitë e qarkut të Durrësit. Në ditën e fundit të marrëveshjes mes bashkisë së Durrësit dhe kompanisë koncesionare që operon në Landfillin e Sharrës, qeveria shqiptare miratoi vendimin për mbështetje financiare. Në vendimin e miratuar, qeveria u kërkon bashkive të qarkut të Durrësit të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin/trajtimin e mbetjeve urbane duke mbajtur në konsideratë legjislacionin në fuqi në fushën e mbetjeve.

Pas studimit të tregut, vijon më tej vendimi dhe gjetjes së zgjidhjeve më të mira financiare për trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë përkatëse të qarkut të Durrësit, bashkia i drejtohet ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara. Pra qeveria do të mbulojë shumën e nevojshme që do të kërkojë bashkia. Por pyetja që shtrohet është se cfarë ndodh nëse të gjitha bashkitë do të kërkojnë të njëjtën gjë?

Situata aktuale
Vendimi i qeverisë është marrë në ditën e fundit që skadon marrëveshja mes bashkisë së Durrësit dhe komapnisë koncesionare që operon në Landfillin e Sharrës. Në fund të muajit qershor e ndodhur në presion publik përballë situatës së krijuar në Durrës ku rrugët e qytetit ishin të pushtuara nga plehrat, kompania në Landfillin e Sharrës vendosi që të zgjaste afatin e grumbullimit të plehrave pa pagesë, duke i rikujtuar bashkisë kushtet e marrëveshjes.

Kompania mori përsipër pastrimin e qytetit deri më datë 15 korrik ndërkohë që pas kësaj date, Bashkia duhet të marrë masat e nevojshme për zgjidhjen e kësaj problematike pasi depozitimi i plehrave nuk do lejohet. Pikërisht në ditën e mbarimit të afatit nga kompania në Sharrë qeveria miratoi vendimin për mbështetje financiare për bashkinë për të zgjidhur problemin e plehrave që sipas të gjitha gjasave do të kenë sërish të njëjtin destinacion, ndërsa e vetmja gjë e re është fakti që shpenzimet do të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Ngërçi
Ky problem ka nisur dy vjet më parë në nisje të sezonit turistik. Me përfundimin e të kontratës së përkohshme me koncensionarin, Bashkia e Durrësit propozoi zgjatjen e saj me 14 vite dhe kërkoi që përpunimi i mbetjeve të financohet nga buxheti i shtetit. Marrëveshja e re nuk është firmosur ende. Shkak mund të jetë dhe tarifa, pasi koncesionari paguhet 29 euro për djegien e një ton mbetje të Tiranës. Ndërsa për Durrësin kostoja e përpunimit është propozuar të arrijë në 40 euro për ton. Nga ana tjetër Bashkia e Durrësit nuk ka vend tjetër ku të depozitojë mbetjet urbane, pasi Porto Romano është marrë nga qeveria

VENDIMI I PLOTE

VENDIM PËR MBËSHTETJEN FINANCIARE PËR MENAXHIMIN E MBETJEVE NË BASHKITË E QARKUT TË DURRËSIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10431, datë 9.7.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, të neneve 10 e 22, pika 3, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr.68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave dhe Ekonominë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Bashkitë e Qarkut të Durrësit të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin/trajtimin e mbjetjeve urbane në këtë qark, duke mbajtur në konsideratë legjislacionin në fuqi në fushën e mbetjeve.

 

  1. Pas studimit të tregut dhe gjetjes së zgjidhjeve më të mira financiare për trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë përkatëse të Qarkut të Durrësit, bashkia i drejtohet ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara.

 

  1. Pas dërgimit të kërkesës financiare, ministritë propozuese të këtij akti i propozojnë Këshillit të Ministrave miratimin e mbështetjes financiare për bashkitë e përfshira në Qarkun e Durrësit, në përputhje me instrumentet e parashikuara në legjislacionin në fuqi.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bashkitë e Qarkut të Durrësit, këshilli i qarkut përkatës dhe prefekti i Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi me botimin në “Fletoren zyrtare”.

db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!