Barcelona dhe Lionel Messi kanë arritur parimisht marrëveshjen për rinovimin e kontratës, e cila ka mbaruar prej 14 ditësh. Vetëm Messi po shijon pushimet me familjen, por babai dhe këshilltarët e tij më në fund kanë arritur akordin për rinovimin.
Flitej se kapiteni do të firmosë për dy vite, për të shkuar më pas në MLS apo Argjentinë, por nuk do ndodhë kështu. Sport.es raporton se “Pleshti” do firmosë për 5 vite me Barcelonën dhe ç’është më e rëndësishmja, ka pranuar ulje të pagës në masën 50%.
Ai ka pranuar të gjitha kushtet që Barcelona i ka vënë. Por nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, mund të themi se Messi sërish do jetë super i paguar. Në kontratën origjinale, e publikuar disa muaj më parë u zbulua se Messi bashkë me bonuset ka marrë 138 milionë euro në sezon.
Nëse Messi do pranonte të përgjysmonte pagën e tij, atëherë mund të themi se me kontratën e re ai do paguhet 69 milionë euro. Sërish do jetë më i paguari në glob dhe e njëjta kontratë do jetë e vlefshme dersa ai të mbushë 39 vjeç. Super marrëveshje! /abcnews.al