Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zgjedhur drejtuesit e përkohshëm të 10 prokurorive në qytete të ndryshme të vendin. Vendet vakante nuk ishin plotësuar për shkak të procesit të Vetingut në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa drejtuesit e rinj do të jenë për një periudhë 3 mujore.
Këshilli vendosi me votë unanime të vlerësojë të përfunduar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës për prokurorin Abaz Muça, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat dhe të lejojë kandidatin (Abaz Muça) të vijojë me procedurat e mëtejshme të ngritjes në detyrë për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Mat.
Pasi u njoh me relacionin e përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi unanimisht për ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për prokurorin Gentian Stoja, kandidat për pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.
Me votë unanime, Këshilli vendosi për 9 (nëntë) caktime të përkohshme për një periudhë tremujore, nga data e hyrjes në fuqi të vendimit, si vijon:
Z. Albert Murçaj, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër;
Znj. Irena Çunoti, në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë;
Znj. Afërdita Ndoi, në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës;
Z. Ludovik Dodaj, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës;
Z. Lorenc Mërkuri, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë Sarandë;
Z. Asllan Bajramaj, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë Përmet;
Z. Aurel Zarka, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë Vlorë;
Z. Erion Çela, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë;
Z. Gjon Fusha, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër.
Bazuar në nenet 14 dhe 33 të Ligjit Nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”,i ndryshuar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me 9 vota pro dhe 1 kundër (z. Vatë Staka), të caktojë përkatësisht Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, që do të shërbejnë si zyra prokurorie për kryerjen e praktikës profesionale për 23 kandidatë magjistratë në profilin “prokuror”, për vitin akademik 2021-2022, dhe të caktojë magjistratët prokurorë udhëheqës për periudhën korrik 2021- qershor 2022, për kandidatët për magjistratë, profili “prokuror”, për vitin akademik 2021-2022.
Magjistrati prokuror udhëheqës bën vlerësimin etik dhe profesional të secilit kandidat magjistrat, profili prokuror, duke u bazuar në kriteret dhe nivelet e vlerësimit, të përcaktuara në ligj.
Pasi u njoh me raportin e përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, Këshilli vendosi miratimin e Raportit për analizimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit kalimtar, prokurorit Endrit Bimi. Një kopje e këtij Raporti i dërgohet Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Në përfundim të seancës plenare, Këshilli caktoi me short z. Bujar Sheshi, si relator për procedurën e ngritjes në detyrën e drejtuesit, të prokurorit Ludovik Dodaj, kandidat për vendin vakant të Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, i cili rezulton të ketë përfunduar procesin e verifikimit nga ana e Këshillit. e.l/abcnews.al/