Bashkëshortja e plagosur e Presidentit të vrarë të Haitit, tha se vrasësit e masakruan burrin e saj me plumba. Martine Moise tha se sulmi ndodhi aq shpejt, saqë bashkëshorti i saj, Jovenel, “nuk qe në gjendje të nxirrte asnjë fjalë të vetme”.
Presidenti Moise u vra më 7 korrik në rezidencën e tij në kryeqytetin Port-au-Princ. Policia e Haitit njoftoi se Presidentin e vrau një grup prej 28 mercenarësh të huaj, mes të cilëve 26 janë kolumbianë.
Zonja Moise gjithashtu u plagos në sulm dhe u dërgua në Majami për mjekim.
Të shtunën, ajo postoi një mesazh me zë në faqen e saj në Twitter, duke përshkruar momentet e vrasjes dhe duke u zotuar se do të vazhdojë punën e bashkëshortit.
“Sa hap e mbyll sytë, mercenarët hynë në shtëpi dhe masakruan burrin tim me plumba. Ky akt nuk ka emër, sepse duhet të jesh një kriminel i pakufishëm për të vrarë një president si Jovenel Moise, madje pa i dhënë mundësinë të thotë një fjalë të vetme”.
Martine Moise tha se burri i saj u bë shënjestër për arsye politike dhe përmendi një referendum për ndryshimet në Kushtetutë, i cili do të mund t’i jepte presidentit më shumë pushtet. Ai është përballur me akuza për korrupsion dhe është sfiduar nga disa protesta anti-qeveritare./ Abcnews.al