Për pedagogun e UET-së, Enri Hide, rasti i Gruevskit, i cili është shpallur tashmë në kërkim ndërkombëtar është tipike ballkanase. Në emisionin “Mbrëmje Ide” nga Mirela Milori, ai tha se nuk e beson se do jetë rasti i vetëm në Ballkan.
“Unë jam i mendimit që kemi të bëjmë me një çështje tipike ballkanike të një lideri të korruptuar, që nuk ka qenë e vetmja dhe nuk besoj se do jetë e vetmja në atë që po ndodh në Ballkanin e trazuar. Përshkallëzimi i ngjarjes ishte i natyrshëm sepse pritej që procedura të përshpejtohej dhe të shkohej drejt arrestimit të zotit Gruevski. Ajo që më habit është fakti që ai u largua dhe kërkoi azil politik sikurse më habiti deklarata e tij e parë paraprake lidhur në Facebook që ai bëri. Është e vetja deklaratë njëkohësisht që ai nuk do i ndalë betejat, pra shpallet një person tërësisht i pafajshëm, kristal i pastër. Do ishte një guxim i tepruar dhe nuk e kuptoj ku e gjejnë këta lloj liderash, të cilët janë akuzuar për shumë e shumë gjëra dhe janë kapur vetëm për një Mercedes që kushtonte 6 mijë euro, që të ngrinin zërin dhe të pretendonin para popullit të tyre pafajësinë”, u shpreh Hide.
Përsa i përket Kosovës, Hide tha se ka probleme thelbësore dhe nuk është rast i ngjashëm me Maqedoninë nga pikëpamja e pakicave.
“Kosova ka probleme më thelbësore të shtetformimit, të identitetit, të ndërtimit të institucioneve, të funksionimit të tyre pas ndërtimi, siç është rasti i gjykatës apo institucioneve. Nga ana tjetër, dhe këtë nuk duhet ta harrojmë, Kosova nuk ka probleme të Maqedonisë sa i takon një pakice. Ajo ka problemet që ka një shtet ballkanik shto dhe problemet që ka si një shtet i pakonsoliduar ende siç është Kosova”, u shpreh ai.
Pedagogu i njohur përmendi Turqinë dhe Rusinë si dy faktorë të cilët shfaqen sa herë ka probleme me sfidat e demokratizimit në Ballkan.
“Fatkeqësisht jemi rikthyer fuqishëm në Ballkanin gjeopolitik. Mendova se para një dekade apo më shumë Ballkani duke marrë këtë valën e perspektivës në integrimin europian, proceseve demokratizuese se kjo do ishte një gjë e kaluar. Por Ballkani gjeopolitik shfaqet sa herë dështimet janë të forta të elitave politike në Ballkan për të kapërcyer sfidat e demokratizimit. Sa më shumë këto sfida mbeten në vend aq më shumë shfaqën faktorët si Rusia apo Turqia. Turqia nga njëra anë duket sikur po dominon në disa interesa gjeoekonomike në shtete si Bosnja e Hercegovina, në shtete si Maqedonia te komponenti shqiptar, Kosova apo shtete si Shqipëria në disa komponentë të investimeve strategjikë apo disa sektorë kyç strategjikisht për vendin. Dhe jo vetëm në disa sektorë kyç, por edhe nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, ka disa dimensione sidomos ajo e burimeve natyrore. Nga ana tjetër Rusia duket sikur tenton, po rrit kostot duke mbështetur liderë autokratë. Po rrit kostot e menaxhimit në Ballkan për partnerët europianë, po tenton t’i fryejë disa erërave shumë të rrezikshme për të ndezur disa zjarre”, u shpreh Hide./abcnews.al