Ish kryeministri Nikolla Gruevski, i cili kërkohet nga drejtësia mzqedonase ndodhet në Hungari ku ka paraqitur dhe kërkesën për azil poltik. Ndërsa në Shkup, në një prononcim për këtë çështje, kryeministri Zaev tha se qeveria nuk ndërhyn në punën e gjyqësorit.
E Kërkuan dy herë në shtëpinë e tij dhe në selinë e partisë VMRO-DPMNE, por nuk e gjetën. Pas disa orësh heshtje vendosi vetë të bëhej i gjallë. Ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, i cili po kërkohet nga policia, ndodhet në Budapest të Hungarisë. Njoftimi është bërë nga vetë ai me anë të një statusi në Facebook ku tregon se ka kërkuar azil politik.
“Në ditët e fundit kam marrë kërcënime të shumta për jetën time. Unë gjendem në Budapest tani, ku kam kërkuar azil politik nga zyrtarët hungarezë. Gjithnjë do të mbes besnik në kauzën e Maqedonisë. Asnjëherë nuk do të lëshoj pe”.
Për këtë situatë me Gruevskin reagoi edhe kryeministri, Zoran Zaev.
Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë: “Nuk e di nëse bëhet fjalë për arratisje. Duhet ta konstatojmë. Ti lëmë shërbimet të punojnë. Nuk e di se kush duhet të mbajë përgjegjësi. Shërbimet kanë vepruar. Drejtësia ka lejuar që të kalojë fundjava për vendimin, sikur për gjitha rastet e tjera. Deri tek Ministria e Brendshme ka arritur fletë arresti dhe ata e publikuan. Kam përshtypjen se ky do të jetë një proces në kornizat e të drejtave të njeriut. Qeveria nuk ka negociuar me askënd dhe nuk ka ndërmend të ndërhyjë në punën e gjyqësorit”.
Ndërkohë, më herët autoritetet maqedonase lëshuan një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj Gruevskit. Fotografia e tij u vendos në faqen e Ministrisë së Brendshme për personat e shpallur në kërkim. Aksioni policor nisi pasi gjykata themelore e Shkupit lëshoi një urdhër-arrest për Gruevskin, pasi ai nuk u paraqit vullnetarisht, për të vuajtur dënimin me 2 vjet burg. Ish- kryeministri Nikolla Gruevski u shpall fajtor për shpërdorim detyre gjate blerjes se makinës luksoze qeveritare me vlerë 600 mijë euro./abcnews.al
/abcnews.al