Shkëlqimi dhe rënia e Gruevskit, nga Kryeministër në një të arratisur

schedule13:15 - 13 Nëntor, 2018

schedule 13:15 - 13 Nëntor, 2018

48 vjeçari Nikolla Gruevski hyri në politikë gati 20 vjet më parë, ndërsa për herë të parë mori drejtimin e qeverisë së Maqedonisë në vitin 2006. Karriera e tij si kryeministër nisi me shpresën e maqedonasve për një erë të re politikanësh, por shpejt pësoi goditje të njëpasnjëshme nga skandalet e zbuluara nga opozita dhe nga autoritarizmi i Gruevskit. Një profil politik i Gruevskit nga kryeministër në një të arratisur, që kërkohet nga drejtësia.

Ndërkohë më tej do të ndjekim një historik të shkurtër të rrugëtimit të jetës politike të ish kryeministrit Nikolla Gruesvki nga drejtimi i qeverisë së Maqedonisë e deri tek i kërkuar ndërkombëtarisht nga Policia.

Ai është shpallur në kërkim që nga e hëna dhe autoritetet e Maqedonisë po e kërkojnë në të gjithë vendin dhe jashtë tij. Bëhet fjalë për politikanin dhe deputetin e kësaj legjislature të kuvendit të Shkupit, Nikolla Gruevskin, emrin e të cilit e ka publikuar ministria e brendshme bashkë me fotografinë e tij në uebfaqen zyrtare. Prej shumë orësh ish-shefi i qeverisë ka humbur çdo gjurmë dhe duket se është zhdukur. Por si kaloi Gruevski nga kryeministër në kriminel që kërkohet nga drejtësia.

Karriera e tij politike nis në vitin 1999, ku do të fillonte ngjitjen në rangjet e larta të pushtetit në Shkup kur u bë dhe ministër financash në qeverinë e VMRO-DPMNE-së. Katër vite më vonë Gruevski do të merrte drejtimin e partisë. Dhe që prej viti 2006, ai do të fitonte zgjedhjet parlamentare për 4 mandate me radhë, duke qeverisur kështu vendin si kryeministër për shumë vite. Megjithatë qeverisja e tij është përballur me shumë kontestime por dhe skandale.

Në maj të 2015-s në Shkup nisën protestat massive kundër Gruevskit dhe qeverisë së tij, të nxitura nga opozitari Zoran Zaev. Lideri I LSDM-së posedonte në atë kohë përgjimet e 20 mijë zyrtarëve të Maqedonisë. Publikimi I tyre ngjalli zemërimin e qytetarëve për aferat korruptive dhe mbulimin e krimeve nga policia dhe skandali shkaktoi dorëheqjen e shumë ministrave dhe deri në rrëzimin e qeverisë Gruevski me 15 janar të 2016.

Megjithatë gjatë gjithë kësaj kohe LSDM kishte ngritur shumë çështje ndaj anëtarëve të VMRO-DPMNE-së, përfshirë ish kryeministrin Nikolla Gruevskin. Dhe ndërsa organet e drejtësisë vijonin me këto çështje, Gruevski shfaqej i pashqetësuar. Por kjo situatë do të zgjaste deri në janar të 2017-s, kur Prokuroria Speciale nisi hetimin për çështjen “Tanku”, në të cilën akuzoheshin dy individë se kanë përdorur postin e tyre zyrtar në vitin 2012 për të kryer një prokurim të paligjshëm të një automjeti Mercedes-Benz për një vlerë 600 mijë euro për të përmbushur dëshirën e Gruevskit, që në atë kohë ishte kryeministër. Disa muaj më pas Gjykata e Shkupit urdhëroi sekuestrimin e pasaportës së tij. Në dhjetor, Gruevski dha dorëheqjen nga drejtimi i VMRO-DPMNE-së pas humbjes së zgjedhjeve. Ndërsa me 23 maj të 2018-s, Gruevski u dënua me 2 vite burg për ndikim të paligjshëm ndaj zyrtarëve qeveritar në blerjen e një automjeti luksoz të blinduar. Ndërkohë,  ish kryeministri është i përfshirë edhe në disa çështje të tjera, për të cilat drejtësia maqedonase nuk ka marrë ende vendim. Kjo nënkupton se vitet e burgut ndaj Gruevskit mund të rriten ende. /abcnews.al