Vendimi i komisionerëve zgjedhorë në Florida për të rinumëruar votat e zgjedhjeve të mes mandatit duket se ka acaruar presidentin Trump, i cili të hënën bëri thirrje për ndaljen e procesit dhe shpalljen fitues të kandidatëve republikanë për senator dhe guvernator të shtetit.
Presidenti Donald Trump u bëri thirrje të hënën komisionerëve zgjedhorë në Florida që të ndërpresin planet për rinumërimin e votave të 6 nëntorit dhe të shpallin kandidatët e tij republikanë fitues. Vendimi për rinumërimin e votave për senatorin dhe guvernatorin e Floridës u mor fundjavën e kaluar, për shkak të diferencave të ngushta mes kandidatëve republikanë dhe atyre demokratë. Thirrja e Trump erdhi pavarësisht se ligjet e shtetit të Floridës u lejojnë komisionerërve të presin 10 ditë për votimet e panumëruara të votuesve që jetojnë jashtë Shteteve të Bashkuara, përfshirë ato të ushtarakëve në detyrë.
Në Florida beteja ndahet mes republikanit Rik Skot dhe demokratit Bill Nelson për postin e senatorit dhe mes Ron De Stantis dhe Endriu Gillum për atë të guvernatorit. Ky i fundit ishte i pari që reagoi ndaj apelit të Trump. “Dukeni nervoz, zoti president. Të numërohet çdo votë”, tha Gillum në Twitter. Republikanët janë të etur të çimentojnë fitoret në një nga shtetet kryesore të Amerikës për të ruajtur kontrollin e zgjeruar në Senat. Ndërsa demokratët kërkojnë një tjetër shtet për të qeverisur. Të dyja partitë kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të parimeve të demokracisë. Rezultatet e rinumërimit pritet të dalin ditën e enjte, por nisur nga fakti se procesi mund të shoqërohet nga nisma ligjore të kandidatëve, ai mund të zgjasë disa javë./abcnews.al