Panuçi kërkon vetëm fitore me Skocinë në Ligën e Europës

schedule13:58 - 12 Nëntor, 2018

schedule 13:58 - 12 Nëntor, 2018

Trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi, kërkoi vetëm fitore ndaj Skocisë në Ligën e Kombeve. Italiani foli përpara nisjes së grumbullimit, ndërsa bëri kritika për golat e pësuar nga lojtarët e tij.

Mbetet për t’u luajtur vetëm sfida e fundit. Kombëtarja shqiptare e futbollit pret Skocinë në 17 nëntor për Ligën e Kombeve, një duel mund të ndryshojë diçka në renditje. Trajneri Kristian Panuçi flet për këtë sfidë, përpara ditës së parë të grumbullimit, dhe ka të qartë diçka.

Kristian Panuçi, trajner i Kombëtares: “Ne duhet ta fitojmë ndeshjen pa tjetër. Formati i Ligës së Europës është që kush del në vend të parë kualifikohet, kush mbetet në fund, bie një kategori më poshtë. Shpresojmë të jemi më mirë për shënimin e golave, diçka që nuk e kemi bërë siç duhet deri tani. Duhet ta përfundojmë grupin me 6 pikë, pastaj të shohim nëse Liga e Europës mund të na ndihmojë që ta kemi më të lehtë kualifikimin për në Europian, nëpërmjet eleminatoreve. Duhet të vazhdojmë atë që nisëm në Izrael, ku na mungoi vetëm goli. As në Turqi, ku fituam, nuk luajtëm aq mirë sa në Izrael”.

Pasi deklaroi se në Skoci kombëtarja nuk luajti futboll, Panuçi bëri edhe një kritikë të ashpër për lojtarët e tij.

“Kemi pësuar tre gola, madje katër gola, dhe nga këta, tre i kemi pësuar nga goditje standarde. Goditje dënimi në Skoci, rivënie e portierit në Izrael, që nuk e pësojnë as fëmijët. Goli tjetër në Izrael erdhi nga një goditje dënimi. Duket se unë kam një skuadër memecësh, që nuk flasin. Jam i lodhur duke i thënë gjithë lojtarëve se duhet të flasin me njëri-tjetrin, të komunikojnë vazhdimisht. Duke iu thënë që të bëjnë kujdes këtej dhe andej. Gjithsesi, duket se po bëj pak në këtë drejtim, ndaj këtë javë do të qeshim më pak e do të flasim më shumë”.

Gjithsesi, ka lajme të mira, me lojtarë që kanë nisur të luajnë, dhe madje të shënojnë.

“Jam i kënaqur. Grezda shënoi dy gola, Kaçe po ashtu bëri gol. Shpresojmë që të vijnë në kombëtare me entuziazmin e duhur dhe t’i japin një dorë skuadrës. Grezda padyshim tani është shumë më mirë se një muaj më parë. Është një lojtar i rëndësishëm për ne. Kaçe shënoi në një ndeshje të rëndësishme, ka më shumë eksperiencë. Mirë se të vijnë”.

Një lojtar i thirrur nga trajneri, por që nuk erdhi, ishte Loret Sadiku. Panuçi bën një shpjegim.

“Sadikun e thirra, por pastaj ai më dërgoi mesazh dhe folëm me njëri-tjetrin. Ai u shpreh i kënaqur që u thirr në kombëtare, duke lënë pas problemet e së kaluarës. Për fat të keq, nuk ndihej në 100 për qind, dhe më kërkoi nëse do të mundesha ta prisja edhe ca. Nuk refuzoi, përkundrazi ishte i lumtur. I thashë që, meqë nuk ishte në 100 për qind, le të mos vinte. Pata edhe probleme me Ramadanin që u dëmtua, dhe thirra Kaçen”.

Edhe një ndeshje dhe vjen fundi i Ligës së Kombeve. A ndjen ndonjë rrezik trajneri për postin e tij, në rast se nuk fitohet ndaj Skocisë?

“Unë përpiqem të bëj maksimumin për të arritur fitoret. Kur takohemi me presidentin, flasim qetësisht, dhe besoj se ai ka mbetur i kënaqur me ndeshjen në Izrael. Gjithsesi, nëse nuk arrijmë të shënojmë, siç ndodhi në Izrael, bëhet e vështirë jo vetëm për mua si trajner, por për të gjithë”.

Trajneri thotë se nuk e ka të qartë formacionin, por është i sigurt se do të luhet në sulm./abcnews.al