Shkëlqejnë lojtarët shqiptarë në Europë, shënojnë Grezda e Kaçe

schedule13:02 - 12 Nëntor, 2018

schedule 13:02 - 12 Nëntor, 2018

Futbollistët shqiptarë janë në formë shumë të mirë në prag të ndeshjes ndaj Skocisë në Ligën e Kombeve. Disa prej tyre shënuan gola, dhe dhanë kontribut të madh për skuadrat e tyre në Europë.

Protagonistë u bënë në kohën e duhur.

Futbollistët shqiptarë në Europë përshëndetën me gola, pasime vendimtare dhe lojë të mirë, ndërsa afron ndeshja e Ligës së Kombeve ndaj Skocisë.

Eros Grezda ishte më i dalluari duke gjetur rrugën e rrjetës në Premier Ligën e Skocisë, madje duke shënuar dy herë për Gllazgou Rejnxhërsin, që iu afrua kreut në vetëm dy pikë.

Sulmuesi nga Kosova realizoi golat e fundit në fitoren 7-1 në “Ajbroks” ndaj Madhëruellit, dhe duket se është përshtatur siç duhet në skuadrën më të madhe të Skocisë.

“Nuk e keni parë ende Grezdën më të mirë, – tha pas ndeshjes trajneri Stiven Xherrard, – ai ka potencial të madh dhe një të ardhme shumë të mirë tek ne”.

Gol me peshë dhe i veçantë për Ergys Kaçen në Superligën e Greqisë.

Mesfushori i rikthyer në kombëtare nga trajneri Panuçi, u bë heroi i Panathinaikosit, duke siguruar barazimin 1-1 në derbin në fushën e Olimpiakosit.

Një lojtar shumë i talentuar, Kaçe shpresohet të ketë arritur edhe pjekurinë e duhur si profesionist, ndërsa mban veshur fanelën e njërit prej klubeve më të shquar të Greqisë.

Kënaqësi edhe për Ermir Lenjanin, sërish në formë në Zvicër.

Ai shërbeu pasim goli në fitoren e Sionit në fushën e Zyrihut në Superligë.

Lojtari i krahut, që tashmë ka lënë pas krizën kur ishte pa skuadër, vjen optimist për kombëtaren në ndeshjen ndaj Skocisë.

Edhe në Itali ka lajme të mira.

Emanuele Ndoji gjithashtu dha pasim për gol në fitoren 4-2 të Breshës ndaj Veronës.

Lojtari i ri pritet të jetë i rëndësishëm në kombëtare, në një të ardhme të afërt.

Së fundi, po në Itali, kontribut dha sulmuesi i ri kuqezi, Xhakomo Vrioni.

Njëzetvjeçari fitoi penallti, ndonëse kjo nuk e ndihmoi Venecian, që humbi 2-3 në fushën e Çitadelës. /abcnews.al