Flakët u fikën por dëmet janë të mëdha. Drejtori i zonave të mbrojtura në Berat, Fatos Nako thotë se sipërfaqja e djegur në malin e Tomorrit si pasojë e zjarrit që zgjati 9 ditë është dhjetëra hektarë.
“Deri më tani nuk mund të futemi për të bërë dhe raportin në lidhje me sipërfaqen që është djegur, por mendojmë se mbi 200 hektarë mund të jetë dëmtuar.”
Nako thotë vështirësia më e madhe ka qenë në ditët e para të rënies së zjarrit.
“Fillimisht ai u shfaq në një zonë të vështirë në një lartësi mbi 1400 metër mbi nivelin e detit, por terreni i vështirë bëri të mundur përhapjen e mëtejshme të tij. Më pas është ngritur dhe shtabi i emergjencave duke bërë të mundur koordinimin e të gjithë forcave për të bërë të mundur shuarjen e vatrave të zjarrit. Në ditën e katër ne u bë i mundur dhe përfshirja e forcës njerëzore përveç helikopterit. Terreni i vështirë ka qenë dhe ndër shkaqet kryesore të përhapjes së flakëve.”
Për të bërë të mundur fikjen e zjarrit është dashur ndërhyrja e ushtrisë në Poshnje, zjarrfikëses së Poliçanit dhe Skraparit, banorëve të zonës si dhe ndërhyrja nga ajri. /abcnews.al/

