Juventusi kaloi një tjetër provë të vështirë në Serinë A, duke mundur Milanin në stadiumin “San Siro”. Kampionët ishin superiorë, ndërsa një gol e shënoi edhe Kristiano Ronaldo.
Nuk ishte mbrëmja e duhur për të përballuar Juventusin. Një Milan me mjaft mungesa për shkak të dëmtimeve, dhe shumë i lodhur nga ndeshja në Europë, u detyrua të dorëzohej përpara kampionëve të Italisë.
Përfundoi 2-0 për skuadrën mike, që luajti më mirë në “San Siro”, duke shënuar nga një gol në çdo pjesë loje. Fillimisht, kroati Mario Manxhukiç, dhe pas pushimit Kristiano Ronaldo.
Formacioni i trajnerit Alegri ishte më i plotë dhe më i çlodhur, por gjithashtu edhe më i përgatitur. Juventusi e kontrolloi ndeshjen siç duhej, duke krijuar më shumë raste për shënim, edhe pse luante në fushë kundërshtare.
Në futboll i rëndësishëm është edhe fati, dhe ekipi nga Torino e pati me vete. Gonzalo Higuain, lojtari më i rrezikshëm i Milanit, humbi një penallti, që ishte mundësia më e mirë për të barazuar.
Më pas, sulmuesi argjentinas u përjashtua nga loja me karton të kuq. A do të ketë rivalë Juventusi këtë sezon?
Me fitoren ndaj Milanit, dhe me humbjen që pësoi Interi, duket se vetëm Napoli mund ta rrezikojë, ashtu siç ndodhi edhe vjet.
Milani, ndërkaq, shpreson t’i kthehen sa më shpejt lojtarët e dëmtuar, për të ndjekur objektivin e vitit.
E vërtetë, që skuadra trajnerit Gatuzi nuk është rivale e Juventusit, por i ka të gjitha mundësitë që të kualifikohet për në Champions, sezonin e ardhshëm. /abcnews.al