Dy lojtarë të kombëtares së Shqipërisë dolën fitues në Serinë A. Berat Gjimshiti shënoi gol në suksesin ndaj Interit, ndërsa Etrit Berisha luajti si titullar.
Po luan titullar, por po bën edhe më shumë. Berat Gjimshiti duket në formën më të mirë të kohëve të fundit, duke u konfirmuar me golin e realizuar në portën e një skuadre të madhe si Interi. Në formacion për Atalantën, mbrojtësi i kombëtares shqiptare tundi rrjetën në minutën e 88-të, duke e bërë të sigurtë suksesin me rezultatin e momentit 3-1.
Përfundoi 4-1 për ekipin nga Bergamo që pati titullar edhe një tjetër lojtar të Shqipërisë, portierin Etrit Berisha. Futboll i shkëlqyer nga skuadra vendase e trajnerit Gasperini, që arriti një triumf ndaj një ekipi ku punoi vetëm për pak kohë, dhe ku e shkarkuan pa shumë ceremoni.
Pyetja që vjen e para në mendje është: Çfarë ndodhi me Interin?
Një ekip që arriti të merrte barazimin ndaj Barcelonës dhe që kishte fituar 9 nga 11 ndeshjet e fundit, në Itali e në Europë, u dorëzua pa kushte. U ndje shumë mungesa e përvojës për të pretenduar njëkohësisht në Champions e në Serinë A.
Po ashtu, ndikoi fakti që Interi nuk ka stol aq të fortë sa Juventusi, dhe ndoshta vetë trajneri Luçiano Spaleti pak është mësuar të punojë në një ngarkesë të tillë fizike dhe psikologjike. Interi, natyrisht mbetet pretendent për në Champions, madje edhe për titullin, por luhatje të tilla ia rrezikojnë sezonin. Atalanta, ndërkaq, arriti një sukses të madh, që mund ta ndihmojë në një edicion kur nuk duket në formën e viteve të kaluara./abcnews.al