Në Qafë-Shtamë të Krujës, për shkak të mungesës së rrugës, kanë mundur të shkojnë vetëm vendasit. Por me rregullimin e rrugës u bë kohë që ky resurs i natyrës është kthyer në destinacion të preferuar për turistë të huaj.
25 kilometra larg qytetit të Krujës, Qafë Shtama është një nga parqet e preferuara të të huajve. Temperaturat e larta u kanë dhënë mundësi atyre të vizitojnë dhe shijojnë masivin pyjor prej 2 mijë hektarësh. Mbërritja për te parku nuk zgjat shumë. Rruga është e mirë, gjarpëruese. Përtej qytetit të Krujës bëhet malore.
Panorama është spektakolare. Janë ngritur bare e lokale me gatimet tradicionale. Pika më e rëndësishme është Kroi i Nanës Mbretëreshë, rreth 1100 metra mbi nivelin e detit. Uji është kristal.
Mban këtë emër për nder të Sadije Toptanit, të ëmës së Mbretit Ahmet Zogu. Në vitet ’30 u tha se burimet e Qafë-Shtamës qenë analizuar në një laborator në Vienë të Austrisë, nga ku qe certifikuar se ato kishin efekte kurative. Dhe në atë kohë një kamion nisej nga Tirana për në Qafë-Shtamë./abcnews.al