Pas një kohe shumë të gjatë kanë nisur masat e para për sistemimin e vendgrumbullimit të mbeturinave në Porto Romano të Durrësit. Vendorët kanë caktuar një shërbim zjarrfikës si dhe ka nisur pastrimi i kanaleve përreth territorit.
Ka pak ditë që këtu nuk po digjen më plehra. Një shërbim zjarrfikës është vend në gatishmeri për çdo rast. Pesë muaj nga shpallja e emergjencës mjedisore në Porto Romano po ndjehen ndërhyrjet e para. Institucionet janë vënë në lëvizje dhe po veprohet në terren.
Ndalimi i djegies së mbeturinave në terren të hapur ka ulur ndjeshëm nivelin e ndotjes të ajërit nga tymërat toksikë. Një praktikë kjo e ndjekur prej më shumë se dy dekadash, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e popullatës.
Paralel me monitorimin e zjarreve në ketë territor, punonjës të ndërmarrjës së komunales të ngarkuar për menaxhimin e mbetjeve kanë nisur marrjen masave paraprake.
Në terren ata po punojnë për pastrimin e kanaleve të tejmbushura nga mbeturinat me qëllim minimizimin e nivelit të ndotjes. Prej vitesh në to nuk ishte kryer asnjë ndërhyrje duke ndikuar në zgjerimin e hartës së zonës së ndotur.
Ndërhyrjet konsiderohen vetëm fillimi i punës për kthimin e kësaj zonë në një vend të gjelbëruar, por që aktualisht shërben për grumbullim e tonelatave mbetjeje. Ndotja që vinte nga kjo zonë, kryesisht nga djegia e mbeturinave sëfundmi nxiti protesta të banorëvë por edhe studentëve.
Gazetare e ABC News, Durrës: Enkeleda Arapi