Përfaqësuesja e BE-së për politikë të jashtme, Federika Mogherini ka përgënjeshtruar deklaratën e presidentit serb, Vuçiç, i cili u shpreh se nuk do të vijojë dialogun me Prishtinën në Bruksel. Sipas Mogerinit, të dy presidentët janë dakordësuar për vijimin e takimeve.
Shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini nuk ka akorduar deklaratat me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç pas përfundimit të raundit të radhës të dialogut të nivelit të lartë Prishtinë-Beograd që është zhviluar në Bruksel. Një ditë pas takimit, deklarata e Federica Mogherinit, e cila ndërmjetëson dialogun Prishtinë-Beograd është krejtësisht në kontradiktë me atë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit ka bërë të qartë pas takimit të djeshëm, se nuk do marrë më pjesë më në dialog përderisa masat e marra në kuadrin e CEFTA-s nga qeveria e Kosovës të jenë në fuqi. Ndërkohë, që sipas deklaratës së Federica Mogherinit, të përcjellur nga zëdhënësja Maja Koçijaniç, të dy presidentët janë angazhuar që të vazhdojnë dialogun:
Maja Koçijançiç, zëdhënëse e KE-së: “Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe dy presidentët u takuan për dialogun e nivelit të lartë për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit dhe për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme. Siç e kemi përcjellur edhe në deklaratën tonë të mbrëmshme, ne presim që Serbia dhe Kosova të arrijnë rezultate të shpejta nga angazhimet e marra në kuadrin e dialogut, veçanërisht për lidhjen direkte që ka normalizimi gjithpërfshirës midis dy palëve me aspiratat e tyre të integrimit në BE. Serbia dhe Kosova duhet të frenohen nga fjalë, aksione dhe masa, që janë në kundërshtim me normalizimin e marrëdhënieve dhe të krijojnë një klimë të favorshme dialogu.Dhe ju duhet të keni parë, që të dy presidentët ranë dakort që të rrijnë në kontakt konstant për të siguruar vazhdimin e vlerësimit të takimit të djeshëm dhe kontaktet në fakt do vijojnë”.
Kjo nuk është hera e parë që për të njëjtin takim, versioni europian është krejtësisht në kundërshtim me atë serb. Presidenti Aleksandër Vuçiç është shprehur se nuk do vijë në Bruksel nëse qeveria e Kosovës nuk ndryshon masat e marrë për rritje me 10% të taksave lidhur me importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Sipas Komisionit Europian, masat që synohen të aplikohen nga qeveria e Kosovës janë dhunim i marrëveshjes së tregtisë së lirë për Europën Qëndrore CEFTA dhe qeveria e Kosovës duhet të tërhiqet nga këto masa. /abcnews.al