Gjykata e Krimeve të Rënda la sot të pandryshuara masat e sigurisë për 5 personat e vënë në pranga pas zbulimit të laboratorit të përpunimit të heroinës dhe lëndëve të forta narkotike në Has. Tre nga të arrestuarit për laboratorin e drogës në Brenoge të Hasit do të qëndrojnë në burg, kurse më i moshuari Mustaf Shuti, 76 vjeç, u la në arrest shtëpie nga Gjykata e Krimeve të Rënda, në të njëjtën masë sigurie që e kishte lënë ajo e Kukësit. Për Anila Shutin u vendos masa e sigurisë, detyrim paraqitje.
Xhavit Shuti, Flamur Bisho Çelo dhe Vehbi Barushi u vendosën në masën e sigurisë arrest me burg, sikurse kishte kërkuar më herët akuza.
Të pesë të arrestuarit u akuzuan për Prodhim dhe Shitje të narkotike, Trafikim dhe fabrikim i lëndëve narkotike në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale. Në shtëpine e Shutëve, policia zbuloi një laborator në të cilin u sekuestruan 182.5 kg morfinë e ndarë në 175 pako, 22 litra të lëngshme për prodhimin e heroinës./abcnews.al