Anglia ka pasur rritje të numrit të personave të infektuar me koronavirus kohët e fundit (90% e rasteve janë të variantit Delta), aq sa janë ngritur shumë dyshime rreth mundësisë së zhvillimit të finales së Euro 2020 në “Wembley” të Londrës (11 korrik).
Kryeministri italian, Mario Draghi doli publikisht kundër, duke deklaruar se do të luajë çdo kartë që finalja të mos zhvillohet në kryeqytetin anglez, sidomos nëse raste pozitive nuk vijnë në ulje dhe situata nuk qetësohet.
“UEFA, FA (Federata Angleze e Futbollit) po punojnë me sukses së bashku për të organizuar gjysmëfinalet dhe finalen e Euro 2020 në ‘Wembley’ dhe nuk ka plane për të ndryshuar vendin për këto dy ndeshje“, lexohet në reagimin e UEFA-s.
Replikat nuk kanë përfunduar dhe së fundmi ka folur për këtë çështje edhe Ministri i Brendshëm i Gjermanisë. Horst Seehofer ka dyshime dhe e quan të papërgjegjshëm insistimin e UEFA-s për t’i qëndruar besnike Londrës.
“E konsideroj të papërgjegjshme sjelljen e UEFA-s. Dyshoj se ekziston një problem tregtar dhe komercial, i cili nuk duhet të mbizotërojë mbi mbrojtjen e shëndetit. Unë vetëm mund t’i bëj thirrje UEFA-s të rishikojë pozicionin e saj“, u shpreh zyrtari gjerman. /abcnews.al