Pasi Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për Teatrin e Ri Kombëtar ka ardhur edhe reagimi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Kjo aleancë i ka dërguar një kërkesë Gjykatës Kushtetuese me anë të së cilës kërkohet informacion i detajuar për takimin e ambasadorit të BE në Shqipëri Luigi Soreca në këtë gjykatë.
Aleanca për Teatrin i bën të ditur GjK se mbështetës të tyre brenda institucioneve shtetërore u kanë bërë të ditur se se në datën e seancës për çështjen e Teatrit, në ambientet e Gjykatës Kushtetuese ka hyrë ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Luigi Soreca, i cili ka zhvilluar një takim prej afro një ore me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese dhe 5 (pesë) minuta para se të fillonte seanca gjyqësore, është parë të dalë nga dera e pasme e kësaj gjykate.
Nëse ky fakt vërtetohet, sipas Aleancës, cënon legjitimitetin e Gjykatës Kushtetues si dhe ul ndjeshëm besimin e qytetarëve shqiptarë te sistemi i drejtësisë së re.
“Shqetësim i drejtë i yni në këtë rast është se, përse Ambasadori i BE, Luigi Soreca shkon në një takim jozyrtar në Gjykatën Kushtetuese dhe pikërisht në datën e seancës së Teatrit? Gjithashtu, e shohim shumë të rrezikshëm faktin se përse nuk u bë publik ky takim, ashtu si në rastet e tjera të takimeve me ILD, KLGJ, KLP, kreun e SPAK apo të BKH-së etj. dhe, pse dhe nga kush duhej të fshihej z. Soreca?
Gjatë gjithë këtij procesi deri në seancën e fundit, edhe në kërkesën tonë bërë më datë 25.06.2021, kemi ngritur shqetësimin se veprimet e drejtuesve të institucioneve palë në këtë proces, jo vetëm nuk po respektojnë Gjykatën Kushtetuese në shpalljen e vendimit, por me veprime konkludente në shkelje të dispozitave ligjore dhe të Kushtetutës, po injorojnë këtë Trup Gjyqësore dhe dukshëm po e vënë në një presion negativ duke e zhbërë në aspekt të legjitimitetit dhe të pavarësisë së saj.”
Aleanca kërkon informacion të detajuar nga Gjykata Kushtetuese lidhur me takimin e Soreca-s në Kushtetuese dhe nëse takimi ka qenë i planifikuar apo jo,
“Pse u zhvillua pikërisht në datën e seancës së Teatrit? Kush ka qenë objekti i bisedimeve? Pse nuk u bë publik takimi? Pse nuk u bë publike objekti i bisedimeve?” s.b/abcnews.al/