Prej mëngjesit të së martës, me orën lokale, amerikanët u janë drejtuar qendrave të votimit për të zgjedhur legjislaturën e re. Sipas mediave amerikane, deri në orët e pasdites personat që e kanë hedhur votën llogariten në disa milionë. Mes tyre rezultojnë edhe persona VIP. Kandidati demokrat për senator të Teksasit, BET OU RURK e hodhi votën në El Paso. I pyetur nga mediat, ai u shpreh i bindur për fitoren kundër rivalit republikan Ted Kruz. “Po, do të fitoj”, u përgjigj ai.
Një tjetër VIP që hodhi votën ishte edhe ish-drejtori i FBI-së, Xhejms Komi. Përmes një postimi në Tëitter pas votimit, Komi tha se do të trokiste derë më derë për të bindur qytetarët të dalin në votime. “Do të jetë argëtuese”, u shpreh Komei. Ndërsa kandidati për senator të Floridës, Endriu Gillum deklaroi se nëse e fiton garën do t’i dërgojë një mesazh të qartë presidentit Donald Trump. “Se politika e urrejtjes dhe e përçarjes do të marrë fund. Këto zgjedhje duhet të tregojnë se njerëzit po votojnë për të zgjedhur diçka dhe jo për të kundërtën”, tha Gillum.
Vetë presidenti Trump dhe stafi i tij, sipas CNN, kanë vendosur ta kalojnë ditën në atë që njihet si “Dhoma e Luftës”. Dhoma në fjalë ndodhet në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë dhe në ambjentet e saj presidenti do të ndjekë të dhënat e fundit mbi procesin elektoral, në shoqërinë e bashkëshortes dhe disa të ftuarve. Ndërkohë, agjencitë federale po monitorojnë procesin për të parandaluar fushatat e keqinformimit nga aktorë të huaj si Rusia, për deri në orët e pasdites nuk janë verifikuar probleme serioze. “Nuk kemi konstatuar ndonjë fushatë të koordinuar deri tani, por dita është e gjatë”, komentoi një zyrtar i Departamentit të Sigurisë së Brendshme. Procesi elektoral për zgjedhjet e gjysmë mandatit ka patur megjithatë disa incidente sporadike. Një qendër votimi në Noksvill të Tenesit mbeti për pak kohë pa energji elektrike dhe gjeneratori që kishte dështoi të vihej në punë. Ndërsa në një qendër në Bruklin të Nju Jorkut, votuesit u lanë jashtë për rreth 90 minuta. Procesi zgjedhor mbyllet në 18:00 me orën lokale, në mesnatë në orën tonë; ndërsa të dhënat e para do të nisin të dalin një orë e gjysmë më vonë. /abcnews.al