Nga Xhensila Kodra
Arteo duhet të luante si të gjithë shokët e tij, por në moshën 10 vjeç, brenda palestrës së shkollës dhe në orën e fiskulturës, provoi për herë të parë drogë.
4 vite më pas, nga hashashi kaloi në heroine, tashmë, ai është 25 vjeç.
“Për herë të parë kam marrë marijuanën, që quhet hashashi. Kam qenë diku tek 10-11 vjeç. Më vonë pastaj kam marrë drogë, heroinë. Në fillim e kam nisur me djegie, pastaj me hundë, pastaj me shiringë.
Kam kaluar një herë në overdozë se kam pirë shumë.
Nuk e dija për këtë të kuqen që të krijonte varësi. E nisa si lojë, si hashashin. se hashashi nuk është se të krijonte varësi, herë e pi e herë s’e pi. Kur kaluan dy a tre ditë kur e kisha pirë, po shikoja siklete në trup. Pyes doktorin, ai e kuptoi direkt sa bëra analizën. Ti injektohesh me drogë më tha. E pyeta nëse mund ta lija. Mund të kurohesh vetëm me metadon më tha”, ka thënë ai.
Ndër vite, familjarët nuk e bindën dot që ai të linte drogën. Prej 4 vitesh e kanë braktisur.
“Jetoj vetëm, edhe prindërit prisnin që unë të reagoja, ta lija këtë gjë e mos e vazhdoja më. Unë nuk arrita dot që ta lija, jam i ndarë nga shtëpia. Kam 4 vite, pasi ka dy vite që më ka vdekur dhe nëna”, shprehet ndër të tjera ai.
Në mungesë të parave, vetëm për të blerë drogë është detyruar të vjedhë. Para një viti, u dënua me 3 muaj burg.
“Nuk kishte metadon, kisha siklet në trup. Metadon nuk kishte, në punë po nuk isha që ta blija drogën, u detyrova të vidhja. U futa në hyrje pallatesh, çfarë të gjeja, ndonjë tel, ndonjë bakërr, ndonjë gjë….
Kur thonë në qeli mos pafsh as hasmin. Shumë keq. Sidomos ne që nuk kemi mbështetje na shkelin me këmbë. Në fillim e ndjeja mungesën e metadonit. Në dhomë rrija me çuna dhe nuk mund t’u tregoja që unë pi metadon. Se e kishin inat. ai person që më mbante mua në dhomë, se tre veta ishim, unë dhe dy burra në dhomë. Ata nuk donin drogaxhijë, unë shyqyr gjeta një ngrohtësi tek ata, dhe u thashë nuk jam drogaxhi. Duroja sikletet”, ka thënë Arteo.
Po tenton të dalë nga kthetrat e drogës dhe ka nisur terapinë me metadon.
Të rinjve iu thotë mos ndjekin shembullin e tij.
“Thirrje kam që mos të jenë kështu si unë asnjë dhe mos të marri drogë. Po e përballoj vetë dhe nuk arrihet. Unë këtu njoh edhe bosa që kanë qenë dhe tani nuk kanë asgjë. As makina e as lekë. Dhe pse? Sepse të harxhon, është 10 mijë lekë një që e blen. Por nuk do një gjithë ditën, do 10. Nga 100 mijë lekë për ditë…..”./abcnews.al