Policët e qiellit në “Ballkan”

schedule20:09 - 23 Qershor, 2021

schedule 20:09 - 23 Qershor, 2021

Nga Linda Karadaku

Policimi ajror i NATO-s është një mision rutinë që prej një kohe të gjatë për të ruajtur integritetin e hapësirës ajrore të Aleancës, një detyrë thelbësore për mbrojtjen kolektive të NATO-s. Policimi ajror nuk është një përgjigje ndaj ndonjë kërcënimi specifik, por një komponent thelbësor sesi NATO ofron siguri për anëtarët e saj. Sipas rregulloreve të NATO-s, forcat ajrore aleate duhet të kenë të paktën dy aeroplanë luftarakë në gatishmëri 24 orë në 7 ditë të javës, dhe në çdo moment dhjetëra aeroplanë luftarakë janë në gatishmëri të lartë në të gjithë Evropën.

Përndryshe, Aleatët pa asnjë forcë ajrore mund të kërkojnë zgjidhje shumëkombëshe për të ruajtur hapësirën e tyre ajrore. Spanja, Portugalia dhe Franca janë aktualisht pjesë e Policisë ajrore të Balltikut mbi Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë. Italia gjithashtu ndihmon në mënyrë rutinore në mbrojtjen e hapësirës ajrore sllovene, ndërsa Forca Ajrore Mbretërore e Mbretërisë së Bashkuar mbështet patrullimet ajrore mbi Rumaninë. Avionët e policisë ajrore të NATO-s ngrihen në qiell në përgjigje kërkesës për ndihmë nga avionë ushtarakë apo civilë që kanë probleme, ose që nuk ndjekin rregulloret ndërkombëtare të fluturimit dhe i afrohen hapësirës ajrore të Aleatëve të NATO-s.

Shpesh, këta avionë nuk arrijnë të identifikohen siç duhet, të komunikojnë me kontrollin e trafikut ajror ose të skedojnë plane fluturimi. Anëtarët e NATO-s, Shqipëria, Sllovenia dhe Mali i Zi nuk kanë flotën e kërkuar të avionëve për të kontribuar në Policimin Ajror të NATO-s mbi territoret e tyre. Prandaj qielli mbi këto vende sigurohet nga Forcat Ajrore të Aleatëve të tjerë. Në rastin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, misioni ekzekutohet bashkërisht nga Forcat Ajrore Italiane dhe Greke.

Në rastin e Sllovenisë, përpjekjet ndahen midis Forcës Ajrore Italiane dhe asaj Hungareze. Ruajtja e hapësirës ajrore të NATO-s me anë të Policimit të Ajrit është një detyrë kolektive; ekzistojnë marrëveshje për aleatët që nuk kanë aftësitë e nevojshme ajrore për të siguruar një standard të vetëm të sigurisë së hapësirës ajrore. Kur Sllovenia u bë anëtare e NATO-s në 2004, Forca Ajrore Italiane filloi misionin e Policimit Ajror për Aleatin e ri. Në mënyrë të ngjashme, kur Shqipëria u bashkua me NATO në 2009, Policimi Ajror u shtri në hapësirën e saj ajrore. Duke operuar nga bazat e tyre në vendet përkatëse, të dy Forcat Ajrore Greke dhe Italiane u bënë përgjegjëse për të siguruar hapësirën ajrore shqiptare.

Avionët luftarakë Interceptues të Forcave Ajrore Italiane janë të njohur me veprimin nën dy Qendrat e Operacioneve të Kombinuara Ajrore të Komandës Ajrore Aleate (CAOCs). Për misionet në hapësirën ajrore shqiptare dhe sllovene si dhe në vendin e tyre, Eurofighters (Eurofajtërat) italianë kontrollohen nga CAOC Torrejon, Spanjë, ndërsa për misionet në tre shtetet Balltike është CAOC në Uedem, Gjermani, që kontrollon misionin. Misioni mbrojtës i Komandës Ajrore Aleate për Policimin Ajror në kohë paqeje përfshin përdorimin e Sistemit të Mbikëqyrjes dhe Kontrollit Ajror, Komandës dhe Kontrollit Ajror dhe aeroplanëve luftarakë për të ruajtur integritetin e hapësirës ajrore të anëtarëve të Aleancës së NATO-s.

Por edhe mekanizma të BE-së, po përpiqeshin të krijonin një hapësirë të përbashkët ajrore në Ballkanin Perëndimor. Përpjekjet për një Qiell të Vetëm Evropian në Horizontin e Ballkanit Perëndimor Horizonti kishin filluar që në vitin 2008. Një marrëveshje e nënshkruar në Stokholm në prill 2008 mbi krijimin e Zbatimit të projektit të Qiellit të Vetëm Evropian në Programin e Evropës Juglindore (ISIS) ishte hapi i parë i një nisme financuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Lëvizjes dhe Transportit e Komisionit Evropian. Ajo u zhvillua në kuadrin e shtrirjes së rrjeteve Trans-Evropiane në Evropën Juglindore (EJL) dhe në mbështetje të Marrëveshjes së Zonës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit (ECAA).

Ai synonte të siguronte përfitime për Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kroacinë, Malin e Zi, Serbinë, Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Kosovën. Si mbështetja kryesore për zbatimin e projektit të Qiellit të Vetëm Evropian (SES) në rajon, Programi ISIS ka për qëllim të rrisë bashkëpunimin midis përfituesve dhe organizatave në Evropën Juglindore, por gjithashtu midis anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe rajonit dhe të ndihmojë në përafrimin e mundshëm të strukturave të këtyre vendeve me ato të BE-së.

KOSOVA

Linjat ajrore civile mund të përdorin tani linja të reja ajrore jug-perëndimore në hapësirën e ulët ajrore mbi Kosovën. Kjo është një arritje e rëndësishme në normalizimin e hapësirës ajrore më të ulët mbi Kosovën, e cila është kryer përmes mbështetjes së procesit të NATO-s për Normalizimin e Aviacionit në Ballkan. Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e dukshëm të trafikut ajror civil drejt dhe nga aeroporti i Prishtinës, me përfitime të shumta duke përfshirë udhëtime më të shpejta, konsum më të ulët të karburantit dhe ndotje të zvogëluar. NATO ka mbështetur procesin e normalizimit të përdorimit të hapësirës ajrore mbi Kosovën që nga viti 1999, duke udhëhequr Takimet e Normalizimeve të Aviacionit në Ballkan. Në këto takime marrin pjesë rregullisht përfaqësues të vendeve Aleate, autoritete të kontrollit ajror, autoritete ushtarake kombëtare dhe organizata përkatëse ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil dhe Agjencinë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit, EUROCONTROL ndër të tjera.

Në vitin 2014, hapësira e sipërme ajrore mbi Kosovën u rihap. Kjo u bë e mundur nga kontributet e ofruara nga Hungaria dhe Ofruesi i Shërbimit të saj të Navigacionit Ajror (HUNGAROCONTROL), i cili mori përsipër përgjegjësinë për të kontrolluar fluturimet mbi 21.000 metra. Në vitet e fundit, NATO përmes Takimeve të Normalizimit të Aviacionit në Ballkan ka lehtësuar zyrtarizimin e një Marrëveshjeje Kuadër midis KFOR dhe Islandës. Agjencia e Sigurisë së Transportit të Islandës (ICETRA) tani po vepron si një Mbikëqyrëse e Sigurisë në mbështetje të Komandantit të KFOR-it, i cili mban autoritetin kryesor për përdorimin e hapësirës ajrore mbi Kosovën. Ai kryen shqyrtimin e të gjitha zgjidhjeve teknike që lejojnë krijimin e rrugëve të reja të drejtpërdrejta, në hapësirën e ulët ajrore, midis Prishtinës dhe qyteteve të tjera.

Përmes kontributit të Agjencisë Islandeze të Sigurisë së Transportit, marrëveshjet teknike janë nënshkruar gjithashtu ndërmjet Ofruesit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror Shqiptar (Albcontrol) dhe Ofruesit të Shërbimit të Navigacionit Ajror në Prishtinë (ASHNA), për krijimin e linjave të reja të drejtpërdrejta për në Prishtinë përmes Shqipërisë. Kjo lejon fluturime më të shkurtra për linjat ajrore që vijnë nga veriu, me përfitime të kohës dhe kursim të karburantit si dhe ndotje më të ulët të ajrit.

Kosova ka tre aeroporte – dy aeroporte të vogla të brendshme, dhe aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Pristina International, i njohur gjithashtu si aeroporti “Adem Jashari”, ka pajisje të kufizuara të mirëmbajtjes dhe ulje për JET-A1 sipas kërkesës paraprake. Serbia refuzon të lejojë avionët që nisen nga Kosova që të kalojnë nëpër hapësirën ajrore serbe. Kjo përfshin hapësirën ajrore të sipërme dhe të poshtme. Meqenëse pjesa ku Serbia kufizohet me Kosovën përbën afërsisht gjysmën e të gjithë kufirit të Kosovës, ndalimi i fluturimit tranzit ka rezultuar në një devijim të madh për çdo aeroplan që dëshiron të fluturojë brenda ose jashtë Kosovës. Në 2014, Hungarocontrol (ATC Hungarez) ndihmoi në zgjidhjen e një pjese të problemit duke marrë përgjegjësinë për të gjithë hapësirën ajrore të sipërme në rajon.

Duke pasur hungarezët nën kontroll të të gjitha fluturimeve mbi FL205 (niveli më i ulët në dispozicion i fluturimit është FL210) kjo e bëri shumë më të lehtë për aeroplanët të kalonin në disa pjesë të Serbisë. Avionëve megjithatë iu desh të kalonin në drejtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në mënyrë që të uleshin në Kosovë pasi SMATSA (Kontrolli i Trafikut Ajror të Serbisë) vazhdoi të refuzonte avionët për të fluturuar mbi territorin e Serbisë nën FL205. Hapësira ajrore e sipërme e Kosovës është nën kontrollin e KFOR-it. Operacionet janë nën kontrollin e Qendrës së Operacioneve të Kombinuara Ajrore Torrejón (Torrejo)- një qendër komande ushtarake e NATO-s në Spanjë. Ata sigurojnë qiellin, i përgjigjen krizave, mbrojnë territorin dhe popullsinë dhe kryejnë detyra paqeruajtëse. Aeroporti kryesor i Kosovës ishte në nivelin FL205, kur hungarezët e Hungaro morën përsipër kontrollin e hapësirës ajrore. Mënyra e vetme brenda dhe jashtë aeroportit ishte përmes kufirit ajror jugor me Maqedoninë.

Por tashmë, rrugët ajrore jug-perëndimore të sapo formuara në hapësirën e ulët ajrore lejojnë linja më efikase në Kosovë për avionët civilë. Hapësira e re e ulët ajrore do të kontrollohet nga Islanda, nën organizimin e NATO-s, përmes programit të saj të Normalizimit të Hapësirës Ajrore të Ballkanit. Islanda do të ofrojë mbikëqyrje të sigurisë dhe gjithashtu ndihmon në mbështetjen e zgjidhjeve teknike për të lejuar më shumë linja ajrore të fillojnë fluturimin nga dhe për në Prishtinë në të ardhmen. Fluturimet nga aeroporti i Prishtinës për në Maqedoninë e Veriut shkojnë përmes vijave ajrore XAXAN (Ksaksan) dhe SARAX (Saraks). Nga Shqipëria përmes vijave ARBER dhe KUKAD. Nga Mali I Zi përmes MEDUX (Meduks) por është është vetëm për ushtrinë. Nga Serbia, përmes linjave KUKES / JAKOV dhe kjo vetëm për ushtrinë.

Me ndërmjetësimin amerikan, Kosova dhe Serbia nënshkruan në vitin 2020 një marrëveshje për normalizimin e trafikut ajror që do të lejonte rifillimin e fluturimeve midis Prishtinës dhe Beogradit, por megjithatë, ende nuk ka ndonjë shenjë të rifillimit konkret të fluturimeve në këtë vijë ajrore.

MALI I ZI

Aleatët e NATO-s Italia dhe Greqia filluan patrullimet ajrore të NATO-s mbi Malin e Zi në 5 qershor 2018 pasi Mali i Zi ishte bashkuar me NATO-n. Meqenëse Podgorica nuk ka aeroplanët e vet luftarakë për këtë qëllim, u ka kërkuar Aleatëve që të ndihmojnë në sigurimin e hapësirës ajrore të tij. Misionet e policimit ajror të NATO-s mbrojnë qiellin e atyre aleatëve që nuk kanë forcën e tyre ajrore. Aktualisht janë disa nga këto misione të policimit ajror në të gjithë Evropën.

Mali i Zi kontribuonte në sigurinë e përbashkët të Aleancës duke siguruar trupa në misionin trajnues të NATO-s në Afganistan dhe mbështetje financiare për forcat afgane të sigurisë. Në shenjë solidariteti të Aleatëve, Italia dhe Greqia ndihmojnë në mbrojtjen e hapësirës ajrore të Malit të Zi. Avionët luftarakë italianë dhe grekë vazhdojnë të qëndrojnë në vendet e tyre të origjinës, duke u ngritur në qiell sipas nevojës. Në vitin 2021, presidenti malazez Milo Gjukanoviç, u takua me Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili vlerësoi kontributin e Malit të Zi në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, i cili është “ndërtimi i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”. Stoltenberg theksoi mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Malin e Zi në mbajtjen e hapësirës ajrore të vendit të sigurt përmes një misioni të policisë ajrore të NATO-s “me avionë nga Italia dhe Greqia”.

BOSNJË-HERCEGOVINA

Njëzet e shtatë vjet pas shpërthimit të luftës dhe pas 15 vitesh përgatitje, Bosnja dhe Hercegovina më në fund mori kontrollin e trafikut ajror në të gjithë qiellin e saj natën e 4 dhjetorit duke u gdhirë 5 dhjetor 2019. Kontrolli i trafikut ajror zhvillohet në dy nivele – e para deri në 10,000 metra, ose 32,500 metra, dhe e dyta mbi atë lartësi të quajtur shtresat e mesme dhe të sipërme të hapësirës ajrore, ku trafiku është gjithashtu më i dendur. Nga shpërthimi i luftës në Bosnjë në 1992 deri në 2014, Bosnja nuk kishte fare kontroll mbi qiellin e saj. Në nëntor 2014, mori kontrollin e qiellit deri në 10,000 metra. Por trafiku ajror mbi 10,000 metra e më lart mbeti nën kontrollin e përbashkët të Serbisë dhe Kroacisë fqinje. Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror Boshnjak, BHANSA, thotë se mbi 80 përqind e trafikut ajror zhvillohet në këtë zonë të sipërme.

Prandaj, presin që numri i fluturimeve që kontrollojnë të rritet ndjeshëm – deri në 70 deri në 80 fluturime në orë, ose 700 deri në 800 në ditë në dimër, dhe deri në 120 aeroplanë në orë, ose 1,600 në ditë, në verë. Më parë, kontrollonte vetëm rreth 200 aeroplanë në ditë. Në mes të vitit 2018, Këshilli i Ministrave, qeveria shtetërore e Bosnjës dhe Hercegovinës, miratoi një “Politikë të Menaxhimit të Hapësirës Ajrore të Bosnjë dhe Hercegovinës”, e cila hapi rrugën që vendi të merrte më në fund kontrollin e gjithë hapësirës së tij ajrore. Procesi i marrjes nën kontroll të të gjithë hapësirës ajrore zgjati shumë më shumë në Bosnjë sesa në republikat e tjera ish-Jugosllave. “Problemi për Bosnjën dhe Hercegovinën është se njerëz të papërshtatshëm ishin ulur në vende të papërshtatshme; ekspertët nuk po e udhëheqin procesin,” tha për televizionin N1, Emir Kuliç, një ekspert i trafikut ajror dhe pilot.

“Kishte pengesa nga Beogradi dhe Zagrebi për shkak të parave” tha Kuliç, duke iu referuar pagesave që linjat ajrore i bëjnë vendeve për fluturime mbi territorin e tyre dhe për shërbimet e kontrollorëve të trafikut ajror. Për 27 vjet, këto para kanë përfunduar në Serbi dhe Kroaci në vend që të përfundonin në Bosnje. Davorin Primoraç, drejtori i BHANSA, i tha medias se ai pret që vendi i tij të fitojë miliona euro më shumë në vit sapo të marrë kontrollin e tërë hapësirës së tij ajrore. Të ardhurat e parashikuara të BHANSA për vitin 2020 janë rreth 36 milion euro. Në vitin 2015 ato ishin vetëm 18 milion euro.

MAQEDONIA E VERIUT

Greqia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan një numër marrëveshjesh thelbësore në 2019, për të rritur bashkëpunimin e tyre ekonomik dhe ushtarak pas një vizite historike të ish-kryeministrit grek Alexis Tsipras në Shkup, duke filluar nga transporti dhe energjia te dixhitalizimi, deri tek bujqësia dhe shëndetësia. Më e rëndësishmja, në një përpjekje për të krijuar besim të ndërsjellë, ministrat e mbrojtjes të të dy vendeve, Radmila Sheqerinska dhe Evangelos Apostolakis, nënshkruan një marrëveshje ushtarake që përfshin trajnimin e ushtarakëve dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut.

“Nënshkrimi i marrëveshjes midis dy ministrave të mbrojtjes përfshin fusha të rëndësishme dhe kritike të trajnimit ushtarak, mbrojtjes dhe teknologjisë, sigurisë kibernetike, inteligjencës ushtarake dhe kontrollit të trafikut ajror të Maqedonisë së Veriut nga Forcat Ajrore Greke,” tha Tsipras, duke shtuar se Greqia do të ishte monitoruese e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut (përfshirë aviacionin civil) për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut në sigurimin e fluturimeve në hapësirën e saj ajrore. Së bashku me Italinë, Greqia tashmë monitoron me rotacion hapësirën ajrore të Shqipërisë dhe Malit të Zi, të dy anëtare të NATO-s.

Sidoqoftë, transmetuesi publik grek ERT njoftoi se në këtë rast, Shkupi nuk donte që Turqia, gjithashtu një anëtare e NATO-s, të përfshihej në çfarëdo mënyre në policimin ajror, as në formë dypalëshe dhe as në aspektin e Aleancës. Kryeministri maqedonas Zaev i kishte dhënë një rëndësi të madhe zgjedhjes së Greqisë për të mbrojtur hapësirën ajrore të vendit të tij duke qartësuar se bëhej për “të forcuar më tej sigurinë tonë”.

SHQIPERIA

Në vitin 1999, për herë të parë, që pas luftës së dytë botërore, hapësira e lartë ajrore dhe ujërat territorialë të Shqipërisë do të shpalleshin zonë luftimesh së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi, me një dekret të presidentit të atëhershëm amerikan Bill Klinton.

“Unë i përcaktoj, për qëllimet e këtij seksioni, vendet e mëposhtme, përfshirë hapësirën ajrore mbi këto vende, si një zonë në të cilën gjenden Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe janë të përfshira në luftime: – Republika Federale e Jugosllavisë (Serbia / Mali i Zi); – Shqipëria; – deti Adriatik; – Deti Jon në veri të paraleles së 39-të. Për qëllimet e këtij urdhri, unë caktoj 24 Mars 1999, si datën e fillimit të veprimtarive luftarake në një zonë të tillë. SHTËPIA E BARDHË, 13 Prill 1999. ”

Si një vend i Ballkanit dhe një shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria ka dhënë mbështetjen e saj të vazhdueshme, brenda kornizës së NATO-s, për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit, dhe në veçanti të hapësirës ajrore të Kosovës. Nënshkrimi i Marrëveshjes midis Albcontrol dhe KANSA është një moment historik i rëndësishëm në këtë drejtim, i cili pasohet nga hapja e korridorit ajror midis Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo Marrëveshje u negociua nga ekipet e ekspertëve shqiptarë në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare.

Hapësira ajrore e Shqipërisë kontrollohet nga Forcat Ajrore Italiane në bashkëpunim me Forcat Ajrore Greke./ Abcnews.al