Nga Klodiana Lala
Çfarë ndodh pas një aksidenti në galeritë e Bulqizës? Cili është roli i institucioneve të ngarkuara për të kontrolluar kompanitë që menaxhojnë minierat, çfarë i garanton shteti një minatori dhe çfarë ndodh kur një minator humb jetën në galeri?!… Cili është roli i prokurorisë dhe si ia dalin të fajësojnë gjithmonë viktimën dhe jo fajtorin për qindra minatorë që mbetën të vdekur galerive për 30 vjet.
“PAKTI ME VDEKJEN”, historitë e trishta të nënave shamizeza të Bulqizës. Një dokumentar i realizuar nga Klodiana Lala dhe Investigativ Network Albania (INA), mbështetur nga Ambasada Amerikane.
………………..
Pak muaj më parë, më 21 shkurt 2021, minator Fiqiri Karaj mbeti pa jetë nën masivin e rëndë të dheut. E ëma e tij, Thëllëza Karaj i ka ende te njoma lotët për birin e saj. Nuk do ta harrojë kurrë përshëndetjen e fundit me të birin….
Lexo edhe: VETTING-Pakti me vdekjen
“Mamë ika, i thosha mirë ardhsh bir. Kisha frikë mjaft. Si në galeri. Për copën e bukës. S’kemi asgjë jemi përtokë. Kujdes o bir, se galeria të merr. Kismet o mamë. Kujdes dua dhe unë, po sa të jetë kismet. Është shemb një katror e ka zënë. Ishte nxirë komplet. Jo shemben gurët, shemben katroret, qe e zuri djali e mbyti. Shkoi në mëngjes, në orën 9 u vra. Erdhi xhenaze. Ishte i urtë, s’prishte fjalë me askënd. Punëtor te zoti” tregoi ajo.
Vdekja prej galerisë vijon ta kërcënojë Thëllëzën edhe për djalin tjetër, që prej varfërisë ekstreme detyrohet ta përcjellë për të fituar bukën po në minierën që i mori njërin djalë. “Çfarë pune bënte në galeri…? Vagonist… I shkreti. Djali tjetër shkon në galeri? Po shkon. Cfarë të bëjë. Duan fëmijët të hanë. Ka 3 fëmijë. Lutem mjaft po cfarë të bëj. Zoti e ka në dorë. Nuk ja kam kërkuar se nuk kam ku ta coj. Kam frikë sa të duash, shkon në mëngjes e s’vjen në darkë. Kam frikë sa të duash. Po skam ku ta çoj” tha ajo.
Bashkëshortja e të ndjerit, Fatbardha, rrëfen me dhimbje takimin e fundit të Fiqiriut me fëmijët.
“Shnet oj gru, mirë ju gjetsha, shnet oj Bardha. Gjë tjetër s’na tha”.
I takonte fëmijët në mëngjes?
“Po. I takonte se ishte me frikë galeria”.
I pate thënë ndonjëherë të mos punonte atje?
“I pata thënë gjithmonë, po me thoshte ku të shkoj. Po te ikte jashtë shtetit, thoshte pa fëmijët nuk rri dot atje. O te jemi gjithë në një vend, ose unë nuk shkoj. Se ka pas punuar gjatë, atje në Greqi. Qe para se u fejuam, u fejuam, u martuam, u bëmë me dy fëmijë, ai ka pas punuar në Greqi”.
Kush ta dha lajmin?
“Nipi. E mora në telefon, e pyeta ku jeni? Më tha jena tu ardh prej ke puna. I thashë pse kaq herët? I thashë ku është daja? Se ka pas punuar dhe nipi aty. Më tha daja është vra. Vajtëm pastaj te spitali, sa e kishin sjellë aty”.
E mbetur e ve në një moshë re te, Fatbardhës tashmë i duhet të kujdeset e vetme për 3 vajzat e saj, njëra prej të cilave vuan nga probleme kronike në zemër. Gruaja bën thirrje që institucionet të kthejnë sytë drejt saj.
Miniera e Bulqizës, ku shkruhen këto histori tragjike është kthyer në një vatër aksidentesh. “Minatori e ka varrin mbi kokë”.
Kurt Dalipi ka punuar për 17 vjet në minierë, ku ka humbur shumë prej shokëve të tij minatorë në galeri.
“Plasi galeria dhe mbeti brenda” tha ai.
Është i detyruar t’i zgjasë vitet e punës në atë vend ku humbi edhe djalin e tij, Bajramin. Është i detyruar të kërkojë mineralet bashkë me djemtë e tjerë, e me lutjet që të mos iu ndodhë ndonjë aksident
“Frikë kam sa të duash, s’kemi si të manovrojmë. Si do manovrojmë pa punu. …..të katër në minierë punojnë…Nuk është dënu, jo nuk është dënuar asnjë’ tha ai.
Minator Fatmir Shabani, ka punuar për 30 vite në galeri. Në errësirën e nëntokës ka parë të rrënohet galeria e brenda saj të mbeten shokët e skuadrës së tij. “Kam nxjerrë tetë veta”.
Çdo aksident në labirintet e nëntokës, e shënjon kujtesën e një minatori, por për drejtuesit e minierave, ngjarja tragjike harrohet menjëherë. “Sa nxirret viktima, puna fillon menjëherë”.
Humbja e të birit, pikërisht në një prej galerive ku kishte punuar edhe vetë, është padyshim ngjarja më tragjike e jetës së tij. “Shkova e pashë … në spital”. (lexo ketu emisionin e plote). db/ Abcnews.al