Rafineria e Ballshit e cila u vu në punë në muajin maj pas protestave të shumta të punëtorëve rrezikon të mbyllet sërish. Firma Tosk Energji e cila ka vënë në punë uzinën pretendon se nuk ka lëndë të parë për të përpunuar, duke dalë në 5 muaj me 12 milion dollarë humbje. Të kontaktuar nga televizioni Klan për një përgjigje, zyrtare të Bankers Petroleum thanë se kompania “Tosk” nuk ka respektuar kontratën.
ARMO rrezikon sërish falimentin, duke lënë pa punë afërsisht 1000 punonjës. Televizioni Klan ka mësuar se rafineria e Ballshit, e cila rinisi punën në muajin maj nuk mund të vazhdojë punën për shkak se i mungon lënda e parë: nafta.
Përmes këtij dokumenti(dokumenti) të dorëzuar pranë Autoritetit të Konkurrencës nga kompania “Tosk Energji”, e cila ka lidhur një kontratë qiraje me pronarin e firmës dhe që sot menaxhon uzinën, konstatohet se Bankers Petroleum furnizon me naftë bruto në nivele të ulta, më pak edhe sa i duhet rafinerisë për të qëndruar në punë.
Në bazë të llogaritjeve që janë bërë, rafineria kërkon minimalisht 2500 ton naftë në ditë, ose 50 mijë ton në muaj, kur në fakt merr vetëm gjysmën.
Në dokumenta tregohet se firma “Tosk Energji” ka ofruar edhe garanci financiare në vlerën e 25 milion dollarëve, dhe po ashtu kërkon që çmimi i shitjes të jetë i njëjtë me atë të bursës, por siç i vihet në dijeni Autoritetit të Konkurrencës, kjo gjë i është mohuar nga ana e Bankers Petroleum.
Aktualisht, në 5 muajt e parë, “TOSK Energji” rezulton me 12 milion dollarë humbje, ndërsa sipas burimeve pranë qeverisë mësohet se nga muaji maj e deri më sot ARMO është stakuar dy herë për shkak se nuk ka patur lëndë të parë për të rafinuar.
Në këto kushte rafineria i është drejtuar Autoritetit të Konkurrencës për të shqyrtuar nëse në këtë rast ka apo jo abuzim me pozitën dominuese të Bankers, e cila aktualisht zotëron 89.9% të tregut të prodhimit të naftës, dukshëm në kushtet e monopolit dhe nuk i tregton naftën një sektori strategjik, të rëndësisë së veçantë siç është ARMO.
Në bazë të statistikave janar-shtator të këtij vitit, 75% e naftës që del nga nëntoka shqiptare eksportohet jashtë dhe 25% është e destinuar për tregun vendas. (grafik)
Kompania Tosk Energji, e cila ka mbështetjen e grupit Gunvor Oil operon si një qirmarrës i firmës Byllis Energji, firmë që ka lidhur kontratë qiraje me Allum Enterprises
Zyrtarisht Banker’s thotë në një përgjigje për televizionin Klan se Ligji Hidrokarbur dhe Marrëveshja Hidrokarbure e nënshkruar nga pala shqiptare dhe Banker’s i jep të drjetë kompanisë të shesë 100% të produktit në eksport. Operatori i rafinerisë së Ballshit, thotë Bankers nuk ka respektuar në asnjë moment kontratën ekzistuese të vitit 2018, duke shkaktuar vështirësi operacionale dhe kosto financiare për të. /abcnews.al